Bota 9 October 2026, 18:30 Nga VNA

SHBA cakton datën e pushkatimit të Nidal Hasan, vrau 13 persona! Ekzekutimi do të transmetohet “LIVE” më 3 dhjetor

Ndaje në Whatsapp
SHBA cakton datën e pushkatimit të Nidal Hasan, vrau 13 persona!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë caktuar datën 3 dhjetor 2026 për ekzekutimin e Nidal Hasan, ish-mjekut psikiatër të ushtrisë amerikane, i dënuar me vdekje për vrasjen e 13 personave në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Ekzekutimi është planifikuar të kryhet me pushkatim, ndërsa autoritetet amerikane kanë njoftuar edhe transmetimin e tij të drejtpërdrejtë.

Sipas raportimeve, ekzekutimi është caktuar të zhvillohet më 3 dhjetor, në orën 13:00 sipas kohës lokale, në Fort Hood të Teksasit. Nëse ekzekutimi kryhet sipas planit, Hasan do të jetë personi i parë që ekzekutohet me pushkatim nga ushtria amerikane që prej vitit 1945.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka mbështetur vendimin, duke deklaruar se publiku duhet të kuptojë pasojat e rënda të krimeve të tilla. Sipas Pentagonit, presidenti Donald Trump ka dhënë miratimin për ekzekutimin.

Nidal Hasan, ish-major dhe mjek psikiatër i ushtrisë amerikane, u shpall fajtor në vitin 2013 për vrasjen me paramendim të 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmi ndodhi më 5 nëntor 2009, në bazën ushtarake Fort Hood, vetëm pak javë përpara se Hasan të dërgohej me mision në Afganistan.

Gjatë procesit gjyqësor ushtarak, ai deklaroi se kishte vepruar me bindjen se po mbronte myslimanët dhe talebanët në Afganistan. Gjykata ushtarake e shpalli fajtor dhe e dënoi me vdekje.

Vendimi për transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit ka shkaktuar diskutime në Shtetet e Bashkuara. Ekspertë të së drejtës ushtarake kanë kritikuar këtë praktikë, duke ngritur shqetësime për pasojat ligjore dhe etike të shfaqjes publike të një ekzekutimi.

Ekzekutimi i caktuar për 3 dhjetor rikthen në vëmendje një nga sulmet më të rënda të ndodhura brenda një baze ushtarake amerikane, ku 13 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Video

Këto janë momentet e rrëzimit të një helikopteri në liqenin Atitlán në Guatemalë. Në helikopter ndodheshin shtatë persona. Sipas raportimeve, pesë prej tyre janë shpëtuar të gjallë, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në liqen, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit.

Cilat bashki u “zhdukën” nga harta e Shqipërisë?

Kosova pret ambasadorin…

Ua tregon Edi Rama

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme