Deklarimet e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, përpara SPAK dhe komunikimet e saj me Ergys Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në arrati, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi marrëdhënien mes tyre, administrimin e informacioneve të inteligjencës dhe kontaktet me drejtues të lartë të institucioneve shtetërore.
Detajet u publikuan në emisionin investigativ “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala në News24, ku u trajtuan deklarimet e Hysenit, mesazhet e shkëmbyera përmes aplikacionit Signal dhe kontaktet e përmendura me përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore.
Më 18 shtator 2026, gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e posaçëm, Hyseni deklaroi se Ergys Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH-it dhe se ajo vetë e kishte në përpunim. Megjithatë, sipas të dhënave të raportuara, në institucionin që drejtonte nuk rezultonte të ishte dokumentuar një procedurë e tillë.
Ky deklarim ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si drejtuesja e institucionit të inteligjencës kishte marrë përsipër trajtimin personal të një shtetasi, duke ushtruar njëkohësisht funksione drejtuese dhe operative.
Një tjetër element i rëndësishëm janë komunikimet mes Hysenit dhe Agasit përmes aplikacionit Signal, të zhvilluara nga dhjetori 2025 deri më 26 gusht 2026, datë kur Agasi u arrestua.
Në këto komunikime, Hyseni shpreh pakënaqësi dhe qëndrime hakmarrëse ndaj personave që i konsideronte përgjegjës për situatën e krijuar.
“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë, dua që të paguajnë”, shkruante ajo në një prej mesazheve.
Në një tjetër komunikim, Hyseni i kërkonte Agasit të përqendroheshin te problemi i tij: “Thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”.
Ndërsa në një mesazh tjetër shprehte shqetësimin për pasojat që mund të kishin zhvillimet: “Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”.
Komunikimet përfshijnë edhe referenca ndaj kryeministrit Edi Rama. Më 24 gusht 2026, dy ditë përpara arrestimit të Agasit, Hyseni shkruante:
“Çfarë na bënë o Zot. Po më presin me shku te Km. Jo mo zemër unë një orë, nuk rri më shumë me atë”.
Po atë datë, ajo përmendte një tjetër takim të planifikuar me kreun e qeverisë: “Nesër duhet ta takoj km në 8.30”.
Përmbajtja e këtyre komunikimeve ngre pikëpyetje mbi qëllimin e takimeve të përmendura dhe lidhjen e mundshme të tyre me situatën e Ergys Agasit. Nuk është konfirmuar nëse takimet janë zhvilluar apo nëse është diskutuar çështja e tij.
Në komunikimet e datës 19 gusht 2026 përmendet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.
“Skënderi më thirri me u taku të hënën… të shpresojmë që ka porosit km….”, shkruante Hyseni.
Takimi i përmendur përkonte me datën 24 gusht, vetëm dy ditë përpara arrestimit të Agasit. Mesazhi ngre dyshime mbi kontakte të mundshme ndërinstitucionale për çështjen, por nuk përcakton përmbajtjen e bisedave apo ndonjë ndërhyrje konkrete në veprimet e Policisë.
Në një tjetër komunikim, Hyseni përmendte një takim urgjent me përfaqësues sauditë, duke shkruar: “Më doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë”.
Mesazhet përmbajnë gjithashtu informacione të natyrës politike, përfshirë referenca ndaj Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut.
“Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, shkruante Hyseni në një prej komunikimeve.
Përcjellja e informacioneve të tilla ka ngritur pikëpyetje mbi burimin e tyre dhe mundësinë që të dhëna të siguruara përmes veprimtarisë së inteligjencës të jenë ndarë jashtë kanaleve institucionale. Origjina e këtyre informacioneve mbetet e papërcaktuar.
Në një tjetër mesazh, ish-drejtuesja e SHISH shprehte shqetësimin për zhvillimet dhe kohën që kishin në dispozicion:
“Sa shumë gjëra na kanë bërë ne… kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi…”
Një tjetër zhvillim lidhet me materialet e SHISH të gjetura në automjetin e Ergys Agasit. Sipas informacioneve të publikuara, Agasi ka pranuar pas arrestimit se i kishte lënë qëllimisht këto materiale në automjet, rreth një muaj përpara se të vihej në pranga, me synimin që të gjendeshin nga hetuesit e SPAK.
Kjo rrethanë ka ngritur dyshime për një dekonspirim të qëllimshëm të marrëdhënies me Hysenin dhe për mundësinë që ekspozimi i informacioneve të synonte të ushtronte presion mbi drejtues të lartë shtetërorë.






















