Moska dhe rajoni përreth saj janë vënë në shënjestër të një sulmi të raportuar me dronë dhe balona të vogla, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të trafikut ajror në aeroportet e kryeqytetit rus.
Sipas mediave ruse, për shkak të situatës së krijuar është aktivizuar në të gjitha aeroportet e Moskës protokolli i emergjencës i njohur si “Qilim”. Lajmi është raportuar nga mediumi ASTRA.
Aktivizimi i këtij protokolli nënkupton pezullimin e përkohshëm të fluturimeve, si në nisje, ashtu edhe në mbërritje. Masa synon të kufizojë rrezikun për aviacionin civil në rast të kërcënimeve nga ajri.
Deri më tani, nuk ka informacione të konfirmuara mbi pasojat e sulmit, dëmet e mundshme apo objektivat që mund të jenë goditur në Moskë dhe në rajonin përreth saj.
Ndërkohë, raportimet bëjnë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po arrin të aterrojë në një aeroport të Moskës për shkak të situatës së krijuar. Megjithatë, ky informacion mbetet për t’u konfirmuar nga burime zyrtare.
Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë kur sulmet me dronë dhe masat e sigurisë ajrore kanë sjellë ndërprerje të herëpashershme të trafikut ajror në Rusi. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë një bilanc të plotë të incidentit.






















