Politika 10 October 2026, 08:07 Nga VNA

Tabaku i do votat e Tiranës, por jo drejtimin e Bashkisë. I mungon guximi për të kandiduar apo “leja” e Berishës?

Ndaje në Whatsapp

Tabaku i do votat e Tiranës, por jo drejtimin e Bashkisë. I mungon

Jorida Tabaku e do Tiranën me gjithë shpirt. E do edhe politikën me shumë pasion. Madje, siç deklaroi në një intervistë për A2CNN, nuk ka gjë më të bukur sesa kur këto dy dashuri bashkohen. Por, me sa duket, vetëm për aq kohë sa bashkimi i tyre nuk kërkon një kandidim për Bashkinë e Tiranës.

Deputetja demokrate, e cila rezultoi më e votuara në Tiranë mes kandidatëve të PD-së në listën e hapur, ka një kapital elektoral që shumë politikanë do ta lakmonin. Votuesit ia kanë dhënë mbështetjen me votë personale, pa pasur nevojë të fshihet pas sigurisë së listës së mbyllur.

Por kur vjen puna te drejtimi i kryeqytetit, Tabaku duket se e humbet entuziazmin.

“E dua me gjithë shpirt Tironën dhe, në qoftë se ka një gjë të dytë që e kam me shumë pasion, është politika. Aq më mirë kur mblidhen të dyja bashkë”, deklaroi ajo.

Dhe pikërisht kur dukej se dy pasionet mund të prodhonin një kandidaturë, Tabaku sqaroi se atë kapitull e kishte mbyllur.

“Është një kënaqësi shumë e veçantë kur shumë njerëz mendojnë që unë mund të jem një profil për këtë, por unë e kam kaluar dhe e kam ezauruar atë fazë. Unë sot jam në këtë përballje në parlament sepse aty doja të isha.”

Pra, Tabaku e do Tiranën, ka marrë votat e tiranasve, ka qenë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, ka përvojën politike dhe administrative për të pretenduar drejtimin e kryeqytetit, por nuk dëshiron të kandidojë.

Arsyetimi se është zgjedhur për të qenë deputete tingëllon komod. Sidomos për një politikane që nuk ka ngurruar të flasë për nevojën e ndryshimit, për përgjegjësinë politike dhe për domosdoshmërinë që opozita të ofrojë alternativa fituese.

Sepse një gjë është të jesh deputete e opozitës dhe tjetër gjë të marrësh përsipër sfidën e drejtimit të qytetit më të madh të vendit, përballë një mazhorance që kontrollon prej vitesh pushtetin vendor.

Por ka edhe një pyetje tjetër, ndoshta më interesante se vetë refuzimi i Tabakut.

A nuk e do Jorida Tabaku Bashkinë e Tiranës, apo Sali Berisha nuk e do Jorida Tabakun në krye të saj?

Sepse në Partinë Demokratike, votat personale nuk janë domosdoshmërisht pasaportë për kandidim. Aq më pak kur bëhet fjalë për Bashkinë e Tiranës, një nga postet me peshën më të madhe politike në vend.

Tabaku ka treguar se mund të marrë vota në kryeqytet. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se ka edhe mbështetjen e kryetarit të partisë për të kandiduar për bashkinë.

Dhe këtu lind dilema: po shmang Tabaku një betejë të vështirë elektorale, apo po shmang një betejë edhe më të vështirë brenda partisë së saj?

Për momentin, ajo ka zgjedhur të qëndrojë në Parlament, aty ku mandatin e ka të sigurt dhe përballjen politike e zhvillon nga karrigia e opozitës.

Tirana mbetet dashuria e madhe. Bashkia, një kapitull i mbyllur.

Ndërsa pyetja se kush e ka mbyllur këtë kapitull, vetë Tabaku apo Sali Berisha, mbetet pa përgjigje.

Lexo gjithashtu

Video

Disave mund të mos i duket plak, por shokët e klasës kanë 17 vjet që tërheqin pensionin tek posta

Këto janë momentet e rrëzimit të një helikopteri në liqenin Atitlán në Guatemalë. Në helikopter ndodheshin shtatë persona. Sipas raportimeve, pesë prej tyre janë shpëtuar të gjallë, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në liqen, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit.

Cilat bashki u “zhdukën” nga harta e Shqipërisë?

Kosova pret ambasadorin…

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme