Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Republikës së Kosovës, duke marrë 81 vota në Kuvend dhe duke i dhënë fund ngërçit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Zgjedhja e saj erdhi në orët e fundit të afatit kushtetues, duke shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme pas zhvillimeve intensive politike dhe marrëveshjes së arritur në momentet e fundit mes forcave kryesore politike.
Në garën për presidente, përballë Shiroka-Pulës ishte Eliza Hoxha, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Megjithatë, Shiroka-Pula arriti të siguronte shumicën e nevojshme të votave të deputetëve, duke u zgjedhur në krye të shtetit.
Emri i saj u propozua vetëm pak orë më herët nga kryeministri Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me PDK-në dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi më pas se Shiroka-Pula ishte një emër i pranueshëm për partinë e tij. Në të njëjtën kohë, PDK propozoi Eliza Hoxhën si kundërkandidate.
Zhvillimet erdhën në një ditë vendimtare për skenën politike të Kosovës, pasi afati për zgjedhjen e presidentit ishte drejt përfundimit dhe dështimi i procesit do t’i hapte rrugë shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.
Para presidentes, Kuvendi votoi ndryshimet për Specialen
Përpara procesit të zgjedhjes së presidentes, Kuvendi votoi edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Miratimi i ndryshimeve dhe zgjedhja e presidentes u zhvilluan në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme, pas marrëveshjes politike të arritur në orët e fundit.
Kurti kishte propozuar publikisht që Lëvizja Vetëvendosje të mbështeste ndryshimet për Specialen dhe më pas Kuvendi të kalonte në zgjedhjen e presidentit, duke propozuar pikërisht Justina Shiroka-Pulën për këtë post.
Me përfundimin e të dyja proceseve, Kosova shmangu një tjetër krizë institucionale dhe skenarin e zgjedhjeve të reja.
Por kush është Justina Shiroka-Pula?
Presidentja e re e Kosovës vjen nga një karrierë e gjatë akademike, por ka edhe një të kaluar politike, përfshirë poste të rëndësishme në qeveri dhe në Kuvend.
Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike. Në vitin 2025 ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion që nga themelimi i tij.
Shiroka-Pula ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 1984 përfundoi studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Ajo kreu doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 filloi punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Gjatë karrierës akademike, Shiroka-Pula ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe trajnime të ndryshme profesionale në institucione ndërkombëtare.
Pas luftës në Kosovë, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, kryesisht në çështjet që lidhen me fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Ish-ministre dhe ish-deputete e PDK-së
Përpara se të merrte drejtimin e ASHAK-ut dhe tashmë postin e presidentes, Shiroka-Pula kishte një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi.
Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, Shiroka-Pula ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Pikërisht e kaluara e saj në PDK u bë një nga elementet që mundësoi kompromisin politik të minutave të fundit. Albin Kurti e propozoi atë si kandidate, ndërsa PDK deklaroi se emri i saj ishte i pranueshëm, duke hapur rrugën për zhvillimin e procesit të votimit.






















