Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të premte, rreth orës 14:25, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar në polici.
Sipas Policisë së Kosovës, një burrë rreth 30 vjeç është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti në vendngjarje. Një grua, gjithashtu rreth 30 vjeçe, është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Dyshohet se të dy janë vrarë me armë zjarri nga i njëjti person.
Personi i plagosur ka marrë fillimisht ndihmën mjekësore në spitalin e Gjilanit dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ka lidhje familjare, por motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë.
Në vendngjarje kanë shkuar njësitë përkatëse policore dhe dy prokurorë të Shtetit. Policia ka sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në krim.
Hetimet po vijojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për të zbardhur rrethanat dhe motivin e ngjarjes.






















