Politika 21 October 2026, 21:52 Nga VNA

𝗞𝗮𝗿𝗿𝗶𝗴𝗶𝗮 𝗾𝗲̈ 𝘀’𝗹𝗼𝗱𝗵𝗲𝘁 𝗸𝘂𝗿𝗿𝗲̈: 𝗔𝗱𝗶𝗹 𝗖̧𝗮𝗿𝗰̧𝗮𝗻𝗶 𝗲 𝗠𝗶𝗿𝗲𝗹𝗮 𝗞𝘂𝗺𝗯𝗮𝗿𝗼

Ndaje në Whatsapp
𝗞𝗮𝗿𝗿𝗶𝗴𝗶𝗮 𝗾𝗲̈ 𝘀’𝗹𝗼𝗱𝗵𝗲𝘁

Një krizë e këtillë e shtron pashmangshëm çështjen e dorëheqjes. Ajo vë në provë përgjegjësinë morale të pushtetit: aftësinë për të kuptuar kur përgjegjësia kërkon edhe largimin nga detyra. Por pushteti i lodhur vjen një ditë në atë verbëri ku jetëgjatësia e vet i duket kusht për jetën e vendit. Mandatin e merr për trashëgimi, qëndrimin për meritë, heshtjen për miratim. Aq gjatë ka folur në emër të Shqipërisë, sa kur Shqipëria i përgjigjet me zërin e studentëve, nuk e njeh. I duket zë i huaj. Sepse pushteti që është mësuar të dëgjojë jehonën e vet e përjeton mendimin e lirë si ndërhyrje dhe e quan zhurmë atë që është pyetja e parë e një brezi.

Shqipëria ka një kujtesë të hidhur për këtë sëmundje. E tha dikush: Adil Çarçani ndenji gati dhjetë vjet në krye të qeverisë dhe dukej sikur kishte lindur në atë detyrë. I qetë, i përhershëm, pjesë e peizazhit si një mur për të cilin askush nuk pyet kush e ngriti. Dhjetë vjet atëherë dukeshin përjetësi; dymbëdhjetë vjet sot na paraqiten si përvojë që s’duhet humbur. Ndryshojnë sistemet, por mbetet tundimi për ta shitur mungesën e largimit si dëshmi të pazëvendësueshmërisë. Çarçani drejtonte një sistem që nuk pretendonte rotacion. Të sotmit kërkojnë legjitimitet duke u paraqitur, mandat pas mandati, si fillim i ri. Sa herë duhet të fillojnë të njëjtët njerëz, që të tjerëve t’u vijë radha të jetojnë?

Mirela Kumbaro e mishëron këtë vazhdimësi: dymbëdhjetë vjet ministre, nga Kultura te Turizmi e nga Turizmi tek Arsimi, me qetësinë e dikujt që ndërron dhomë në shtëpinë e vet. Dymbëdhjetë vjet janë një fëmijëri që mbaron, një brez që rritet, mijëra jetë që marrin udhë. Në jetëshkrimin e pushtetit janë thjesht vazhdimësi. Tabelat ndërrohen, ministrja mbetet. Nuk kërkohet më njeriu për detyrën; kërkohet një detyrë ku të sistemohet njeriu. Dhe tepria fillon pikërisht aty: kur vitet në pushtet përdoren si arsye për të kërkuar edhe më shumë vite, ndërsa llogaria për to mbetet përherë për më vonë. Poste shumë; apartamente, sipas pretendimeve të opozitës, edhe më shumë: pretendime që kërkojnë përgjigje, jo heshtje. Ndërkohë, mirëkuptimin ajo e kërkon nga prindërit që numërojnë shpenzimet deri në fund të muajit, jo pronat deri në fund të mandatit.

Poshtë dritareve të pushtetit, jeta ka një aritmetikë tjetër, dhe Migjeni do ta kishte njohur menjëherë këtë qiell të ulët, ku buka matet me gram e shpresa me vite. Një rrogë shpenzohet përpara se të merret. Një dëshirë shtyhet që të paguhet një faturë. Në një shtëpi prindërit flasin për shkollimin e fëmijës, në një tjetër për biletën e tij. Dhe vjen ajo mbrëmje kur familja ulet të llogarisë sa kushton largimi, sepse qëndrimin nuk po e përballon dot. Kështu hyn mërgimi në shtëpi: fillimisht si mundësi, pastaj si zgjidhje, në fund si një mungesë së cilës duhet t’i mësohesh. Pushteti e quan lëvizshmëri. Nëna i ruan dhomën, e fshin pluhurin nga një shtrat ku askush nuk fle dhe e quan këtë shpresë.

Fëmijët kalojnë nga një cikël shkollor në tjetrin; ministrja nga një dikaster në tjetrin. Ata duhet të dëshmojnë çfarë kanë mësuar; asaj i mjafton të dëshmojë se është ende aty. Pastaj vjen ajo fjalë e butë: mirëkuptim. Po çfarë duhet të mirëkuptojnë prindërit? Që fëmijët e tyre rriten më shpejt se përgjigjet e qeverisë? Që shqetësimi i tyre mund të presë, ndërsa karriera e ministres duhet të vazhdojë? Durimi, kur kërkohet përherë nga i njëjti krah, bëhet taksë mbi pafuqinë: e paguan ai që nuk e cakton dot afatin; përfiton ai që ka pushtetin ta shtyjë.

Pastaj vijnë pamjet e gjakut në rrugë, të gjymtyrëve të thyera, të kokave të çara, të të rinjve e policëve të plagosur. Janë plagë që nuk mbyllen kur mbyllet protesta. Pas çdo të plagosuri ka një familje që pret një telefonatë, një dhomë ku dikush rri zgjuar, një derë spitali ku fjalimet humbasin çdo fuqi ngushëlluese. Dhimbja nuk bëhet më e vogël nga uniforma, as më pak e denjë për drejtësi nga pjesëmarrja në protestë. Asnjë plagë nuk duhet përdorur për të fshehur një tjetër. Shkatërrimi i pronës publike duhet dënuar; mbrojtja e saj nuk e shuan detyrimin për të mbrojtur njerëzit. Një mur suvatohet. Një dorë e thyer, një frikë që i hyn një fëmije në gjumë, besimi i çarë mes një brezi dhe shtetit të tij nuk riparohen me të njëjtën lehtësi.

Dhuna kërkon hetim të pavarur, kudo që ka ndodhur. Por përgjegjësia politike kërkon gjithashtu përgjigje: çfarë u bë, çfarë dështoi, çfarë do të ndryshojë. Këtu zbulohet një nga dështimet më të rënda të kësaj mënyre qeverisjeje: meritat kanë gjithmonë adresë, ndërsa dështimet shkojnë në një zarf pa emër. «Le të flasë drejtësia» nuk mund të bëhet mënyra elegante për të thënë «ne s’kemi asgjë për të thënë». Detyra ka një peshë morale që nuk shteron te pyetja nëse është shkelur ligji. Pushteti është përgjegjësi e marrë përkohësisht mbi vete; kur ruajtja e postit bëhet më e rëndësishme se përgjegjësia që ai mbart, detyra është kthyer në pronë.

Mirë që Rama po bën llogaritë e pushtetit për të mos u tërhequr. Po Mirela Kumbaro, çfarë po pret? A nuk mjaftojnë pamjet e gjakut në shesh, të studentëve me këmbë të thyera, të prindërve që presin te dyert e spitaleve, që të paktën ajo ta shohë largimin si detyrim moral? Sa duhet të rëndojë dhimbja jashtë zyrës që të peshojë më shumë se karrigia brenda saj? Pas kaq vitesh duke kaluar nga një detyrë në tjetrën, mund të jepte më në fund shembullin e një përgjegjësie që nuk transferohet: «Nuk mund të vazhdoj sikur asgjë nuk ka ndodhur.» Çfarë po pret ende — që plagët të mbyllen, zemërimi të shuhet dhe gjithçka të kalojë, që vetëm ajo të mbetet?

Dorëheqja nuk është pranim automatik i çdo akuze. Kumbaro mund të dorëhiqej dhe të bënte një nga aktet më dinjitoze të karrierës së saj: të pranonte se besimi publik është dëmtuar aq rëndë, sa përgjegjësia nuk përmbushet më vetëm me qëndrimin në detyrë. Do t’u jepte kështu nxënësve një mësim që nuk jepet me udhëzim ministror: se dinjiteti i detyrës mund të ruhet edhe duke e lënë atë.

Aty qëndron pesha morale e dorëheqjes: te gatishmëria për ta paguar edhe vetë një çmim për dështimin që u ka kushtuar të tjerëve. Këtu çmimin po e paguan dikush tjetër. Një protestuese ka lënë punën për t’iu bashkuar protestës: qytetarja rrezikon bukën, pushtetari ruan postin. Institucionin e dorëheqjes e ushtron populli, që qeverisë t’i kursehet mundimi.

Qeverisja është marrëdhënie njerëzore, e ngritur e mbajtur nga vendime njerëzore; ndaj mund të kundërshtohet, të gjykohet, të ndryshohet. Ta trajtosh postin si fat është t’i japësh pushtetit atë përjetësi që asnjë mandat nuk ia jep.

Studentët kërkojnë të mos largohen nga vendi. Të përhershmit kërkojnë të mos largohen nga pushteti. Të rinjtë ëndërrojnë punën e parë, shtëpinë e parë; të përhershmit, karrigen e radhës.

Qytetarëve u mbeten plagët; pushtetit, shqetësimi se si t’i shpjegojë pa lëvizur nga vendi. Por një brez nuk mund të presë të jetojë derisa të tjerët të ngopen së qeverisuri.

Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë përplasje duke zbrazur shtëpitë, vetëm që të mos zbrazen zyrat.

Lexo gjithashtu

Video

Pamjet e auditorit plot, ama, na i kurseu

Edhe pas 36 vitesh, fajin e ka populli dhe “armiqtë e huaj” Kjo video, e publikuar nga politologu Afrim Krasniqi, tregon se në Shqipëri politika i ndërron kostumet, por fjalimet i ruan për çdo rast. Retorika me të cilën pushteti u drejtohej të pakënaqurve në korrikun e vitit 1990 dëgjohet edhe sot ndaj studentëve, protestuesve dhe kritikëve të qeverisë. Pas 36 vitesh, sa kemi mësuar nga historia?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme