Politika 21 October 2026, 08:43 Nga VNA

Nga të kuqe në të zeza, Rama ndryshon ngjyrën e karrigeve poshtë kryeministrisë por jo qasjen ndaj studentëve

Ndaje në Whatsapp
Nga të kuqe në të zeza, Rama ndryshon ngjyrën e karrigeve

Një ditë pasi studentët refuzuan ftesën për dialog, Edi Rama ka nxjerrë sërish karriget në shkallët e Kryeministrisë. Ndryshimi i vetëm i dukshëm është ngjyra e tyre: dje të kuqe, sot të zeza. Ndërsa mënyra se si kryeministri po i qaset protestës mbetet e njëjtë.

Edhe këtë mëngjes, Rama përsëriti ftesën për dialog, duke deklaruar se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por se asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë dhunën.

“Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës, sot dialogu është këtu përsëri, dora ime është e shtrirë për ata që mendojnë ndryshe nga unë”, deklaroi kryeministri.

Megjithatë, edhe këtë herë ftesa u shoqërua me paralajmërime për protestuesit. Rama tha se kush ka ushtruar dhunë apo ka dëmtuar pronën publike dhe private do të përballet me pasoja ligjore dhe financiare, duke theksuar se përgjigjja e institucioneve nuk do të vonojë.

Qëndrimi i kryeministrit vjen pas shtatë ditësh protestash të shoqëruara me përplasje, përdorim të gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës, arrestime dhe denoncime për dhunë policore.

Ndërsa Rama këmbëngul te distancimi i studentëve nga dhuna dhe përgjegjësia e tyre për incidentet, në deklaratën e sotme nuk pati një qëndrim të posaçëm për pretendimet e dhunës nga policia apo shkeljet e evidentuara nga Avokati i Popullit.

Për të dytën ditë radhazi, Kryeministria ofron të njëjtën skenë dialogu, këtë herë me karrige të zeza. Studentët, të cilët e refuzuan dje ftesën, nuk kanë dhënë ende një përgjigje të re ndaj saj.

Lexo gjithashtu

Video

Pamjet e auditorit plot, ama, na i kurseu

Edhe pas 36 vitesh, fajin e ka populli dhe “armiqtë e huaj” Kjo video, e publikuar nga politologu Afrim Krasniqi, tregon se në Shqipëri politika i ndërron kostumet, por fjalimet i ruan për çdo rast. Retorika me të cilën pushteti u drejtohej të pakënaqurve në korrikun e vitit 1990 dëgjohet edhe sot ndaj studentëve, protestuesve dhe kritikëve të qeverisë. Pas 36 vitesh, sa kemi mësuar nga historia?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme