Pas tetë ditësh protestash, gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe të rinjve të shoqëruar në komisariate, Bora Muzhaqi është rikthyer me një shqetësim që deri tani na kishte shpëtuar: bullizimin e atyre që nuk dalin në protestë.
Sipas saj, shumë prindër i janë ankuar se fëmijët e tyre po përballen me presion nga shokët e klasës për t’iu bashkuar protestave.
“Të rinj që po bullizohen për një mendim ndryshe. Nuk jeni vetëm”, i siguroi ajo.
Më në fund, qeveria gjeti kohë të merret edhe me viktimat e protestës që nuk kanë qenë fare në protestë.
Muzhaqi pati këshilla edhe për ata që kanë dalë në rrugë: të mos përdoren, të mos ushtrojnë dhunë dhe të presin zgjedhjet për të shprehur pakënaqësinë.
Për dhunën policore pranoi se ka pasur momente që nuk duhej të kishin ndodhur. Për bullizimin e atyre që nuk protestojnë, ndërkohë, kishte një mesazh të posaçëm solidariteti.
Kështu që, pas tetë ditësh, më në fund kemi edhe një lajm të mirë: qeveria nuk i ka braktisur të rinjtë. Ka zgjedhur të mbrojë ata që nuk kanë dalë për të protestuar kundër saj.






















