Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte, 20 tetor, në zonën e Komunës së Parisit, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete brenda një automjeti.
Në një njoftim të dytë zyrtar, Policia ka paraqitur një tjetër version mbi dinamikën e ngjarjes, duke bërë të ditur se nga veprimet e para hetimore dyshohet se 46-vjeçari mund të ketë kryer vetëvrasje.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin ku u gjet trupi i pajetë i Habilit, është zbuluar dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, si dhe një gëzhojë.
Këto të dhëna kanë ngritur dyshimet e para të hetuesve se viktima mund t’i ketë dhënë fund jetës, megjithatë rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Më herët, në njoftimin paraprak, Policia bëri të ditur se rreth orës 20:20 kishte marrë një telefonatë në Sallën Operative për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”, në Tiranë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë konstatuan brenda automjetit të markës “Volvo” trupin e pajetë të 46-vjeçarit, për të cilin fillimisht u ngritën dyshime se ishte vrarë me armë zjarri.
Megjithatë, pas këqyrjes së vendngjarjes dhe veprimeve të para hetimore, Policia ka bërë të ditur se pista kryesore që po verifikohet është ajo e vetëvrasjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe rrethanat në të cilat ka humbur jetën 46-vjeçari.






















