
Policia ka vepruar me shpejtësi pas protestës së sotme në Tiranë, duke arrestuar pesë persona, mes tyre një të mitur 16-vjeçar, ndërsa 15 të tjerë janë shpallur në kërkim. Arrestimet vijnë në një kohë kur është njoftuar edhe shpërblimi për efektivët e angazhuar gjatë protestave.
Sipas njoftimit zyrtar, 20 persona janë identifikuar si të dyshuar për dëmtimin me sende të forta të dyerve dhe dritareve të godinës së Gjykatës së Apelit gjatë tubimit.
Në pranga kanë rënë A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç, si dhe një i mitur 16-vjeçar. Policia pretendon se gjatë kontrollit fizik të të miturit janë gjetur lëndë piroteknike, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Ndërkohë, 15 persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






















