
Protesta e gjimnazistëve dhe studentëve në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje me forcat e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë të rinjtë.
Tensionet nisën në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe i vendosën si barrikada për të penguar avancimin e forcave të rendit.
Policia ndërhyri me autobotë uji dhe forca të shumta, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve. Pas ndërhyrjes, të rinjtë u shpërndanë në rrugët përreth, ndërsa gjashtë furgonë policie u angazhuan në ndjekje të tyre.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë hedhur në rrugë edhe kunja metalike, me qëllim dëmtimin e gomave të automjeteve të Policisë.
Ndërkohë, forca të shumta policore janë dislokuar në pika të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa masa të shtuara sigurie janë marrë edhe pranë selisë së Partisë Socialiste.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit kanë vijuar lëvizjen në zona të tjera të kryeqytetit.
Protestat kundër qeverisë vijojnë në kryeqytet në ditën e shtatë të saj, ndërsa situata mbetet e tensionuar.






















