Politika 20 October 2026, 22:10 Nga VNA

Dita e tetë e protestës në Tiranë: Nga rrëzimi i “karrigeve të dialogut” te përplasjet me policinë, gazi lotsjellës dhe bojkoti i pedagogëve

Ndaje në Whatsapp
Dita e tetë e protestës në Tiranë: Nga rrëzimi i

Dita e tetë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë u shoqërua me përplasje të forta, gaz lotsjellës, ujë me presion, molotovë, persona të lënduar dhe shoqërime në polici.

Gjithçka nisi përpara Kryeministrisë, ku studentët përmbysën karriget e vendosura nga Edi Rama si ftesë për dialog, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij. Protestës iu bashkuan edhe pedagogët, të cilët marshuan nga Universiteti Politeknik drejt bulevardit.

Tensionet shpërthyen pranë Ministrisë së Arsimit. Protestuesit hodhën fishekzjarrë, ndërsa policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Përplasjet vijuan përpara Kryeministrisë, ku u hodhën gurë dhe molotovë.

Mbrëmja e ktheu qendrën e Tiranës në një tjetër vatër tensionesh. Në sheshin “Skënderbej” u hodhën kapsolla, u shkulën pllaka dhe policia përdori sërish gaz lotsjellës. Protestuesit u shpërndanë drejt Zogut të Zi, ish-Stacionit të Trenit dhe rrugëve përreth, ku pati ndjekje nga efektivët dhe djegie koshash mbeturinash.

Përplasje fizike u regjistruan edhe pranë parkut “Rinia”, ku u raportuan tri vajza të lënduara dhe tre persona të shoqëruar në polici. Në një tjetër moment, një grup vajzash protestuese përballoi ujin me presion, përpara se të shoqërohej drejt furgonit të policisë.

Ndërkohë, Sindikata e Universiteteve shpalli bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, duke nisur nga 21 tetori, deri në një njoftim të dytë. Pedagogët kërkojnë ndalimin e dhunës, hetimin e ndërhyrjeve policore dhe plotësimin e kërkesave të studentëve.

Gjatë ditës pati edhe një reagim nga OSBE/ODIHR për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe nevojën për hetimin e rasteve të dyshuara të dhunës.

Policia kishte raportuar 271 të arrestuar gjatë shtatë ditëve të para të protestave, ndërsa bilanci përfundimtar i ditës së tetë mbetej ende i paqartë.

Protesta e 20 tetorit nisi me karriget e dialogut dhe përfundoi me gaz lotsjellës në rrugët e kryeqytetit. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbeti e pandryshuar, ndërsa nga nesër pedagogët i bashkohen protestës edhe me bojkotin e auditorëve.

Lexo gjithashtu

Video

Djali i 46-vjecarit Ismet Habili që bërtet e qan pasi mëson se babai i tij ka humbur jetën brenda automjetit të tij me një plumb në kokë.

Policia arreston të riun te Tajvani: “Po më marrin kot! Kisha vetëm një kokore dhe një antidjersë”.

🔴PAMJE TË RËNDA/ MOTRA PËRPIQET TË SHPËTOJË VËLLAIN NGA DUART E POLICËVE

Negociatorët për dialog

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme