
Tre të rinj janë shoqëruar nga policia në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa prisnin nisjen e protestës së sotme. Sipas pamjeve dhe raportimeve nga terreni, efektivët kanë ndërhyrë duke i futur të rinjtë në furgonin e policisë, përpara se të bashkoheshin me protestuesit e tjerë.
Ndërhyrja ka shkaktuar reagimin e qytetarëve të pranishëm, të cilët u kanë kërkuar policëve të mos i shoqërojnë të rinjtë. Një grua ka shprehur shqetësimin për sigurinë e fëmijëve dhe mënyrën se si po veprojnë forcat e rendit.
Ndërkohë, raportohet se policia po kryen shoqërime edhe në zona të tjera të kryeqytetit, përpara grumbullimit të protestuesve dhe marshimit të parashikuar drejt rrugës së Durrësit. Ende nuk janë bërë të ditura arsyet ligjore të shoqërimit të tre të rinjve.
Protestat kanë ndikuar edhe në aktivitetin parlamentar. Sipas raportimeve, mbledhjet e komisioneve nuk po zhvillohen dhe seanca e fundit plenare është anuluar, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk kanë dhënë deklarata publike për zhvillimet e fundit.






















