
Situata para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është tensionuar sërish gjatë protestës së studentëve, ku përplasjet me forcat e rendit janë shoqëruar me përdorimin e ujit me presion dhe gazit lotsjellës. Të rinjtë pretendojnë se efektivët e Policisë po përdorin edhe plumba gome ndaj tyre, ndërsa pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë një punonjës policie që drejton armën në drejtim të protestuesve.

Përdorimi i ujit me presion dhe gazit lotsjellës ka ashpërsuar përballjen mes studentëve dhe Policisë. Pamjet e efektivit që drejton armën ndaj protestuesve kanë shkaktuar reagime mes të rinjve, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse ai ka qëlluar apo çfarë lloj municioni është përdorur.
Incidenti vjen pas disa ditësh protestash të shoqëruara me përplasje të dhunshme në kryeqytet, ku janë regjistruar të lënduar, arrestime dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve. Ndërkohë, studentët vijojnë protestën dhe përballjen me forcat e rendit.
Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet për përdorimin e plumbave të gomës.






















