
Një nga fotografitë më të shpërndara të protestës së djeshme në Tiranë është ajo e një efektivi policie që mban me forcë një të ri, në një moment përplasjeje në rrugë. Pamja, që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale, ka rikthyer debatin për mënyrën se si policia ndërhyri ndaj protestuesve gjatë ditës së katërt të revoltës.
I riu në fotografi është identifikuar si Muhamet Skana, i cili, sipas raportimeve mediatike, ka mbetur i dëmtuar pas ndërhyrjes së policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Sipas raportimeve nga Spitali i Traumës, Skana ka pësuar dëmtime në vertebra dhe humbje të kujtesës. Gazetarja Denada Jushi raportoi se i riu ishte i vetëdijshëm, por fillimisht nuk kujtonte asgjë nga ngjarja. Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë gjithashtu se, pasi është përplasur në asfalt, ai është goditur nga efektivë të tjerë ndërsa ndodhej në tokë.
Më vonë, një familjar i Muhamet Skanës konfirmoi për gazetaren Kristina Belba të News24 se i riu kishte dëmtime në kafkë dhe shtyllën kurrizore, por ndodhej jashtë rrezikut për jetën dhe kishte nisur gradualisht të rikujtonte ngjarjen.
Sipas disa mediave, dy efektivët e policisë të përfshirë në dhunimin e të riut janë pezulluar nga detyra. Ndërkohë, mbeten për t'u sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë për përdorimin e forcës.
Fotografia e Muhamet Skanës është kthyer në një nga pamjet më të forta të katër ditëve të protestave në Tiranë. Në një kryeqytet ku janë dokumentuar sulme ndaj policisë, dëmtime institucionesh dhe përplasje të dhunshme, rasti i tij ngre një pyetje që kërkon përgjigje nga autoritetet: Çfarë e justifikonte përdorimin e një force të tillë ndaj një të riu dhe a ishte ndërhyrja e policisë në përputhje me ligjin?






















