
Pas katër ditësh protestash që e kthyen Tiranën në skenë përplasjesh të dhunshme, mbrëmja e së premtes solli një kthesë të papritur. Pas shtatë orësh tensioni, gurësh, gazi lotsjellës dhe sulmesh ndaj institucioneve, protestuesit ndryshuan qëndrim ndaj policisë. Në vend të gurëve, u afruan me shishe uji dhe përqafime. Në vend të përplasjeve, nisën bisedimet. Dhe për herë të parë pas disa ditësh, palët u ndanë në paqe.
Por askush nuk e di me siguri se çfarë ndodhi në ato minuta të fundit. Kush e mori iniciativën për të ndalur përplasjet? Kush foli me policinë dhe çfarë u ra dakord? Protestuesit u rikthyen pranë Kryeministrisë, ndërsa tërheqja e forcave të policisë u prit me duartrokitje. Një protestues, i shoqëruar nga vajza e tij e mitur, u ngjit në shkallët e Kryeministrisë dhe u kërkoi efektivëve të hiqnin kapelet.
Paqja e papritur erdhi pas një tjetër dite të rëndë për kryeqytetin. Protestues të maskuar sulmuan me gurë policinë, ndërsa derës së Ministrisë së Ekonomisë iu vu flaka. Bulevardi mbeti i mbuluar nga gurët e hedhur gjatë përplasjeve. Në rrugë u rikthyen edhe sloganet e protestave të mëparshme, mes tyre thirrja “Shqipëria nuk është në shitje”.
Bilanci i ndërhyrjeve policore është gjithashtu i rëndë. Sipas shifrave të raportuara për tri ditët e para, 152 persona janë arrestuar dhe 324 të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa vetëm në Tiranë numri i të arrestuarve ka arritur në 127.
Protestat, të nisura kryesisht nga të rinjtë dhe studentët, kanë tashmë një kërkesë politike që dëgjohet vazhdimisht në rrugë: largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, mungesa e një organizimi të qartë dhe e përfaqësuesve që mund të flasin në emër të të gjithë protestuesve e bën edhe më të vështirë të kuptohet se kush i merr vendimet dhe në çfarë drejtimi do të shkojë protesta. 
Këtë mëngjes, të shtunën e 17 tetorit, Tirana zgjohet përpara një tjetër dite të panjohur. A ishte paqja e mbrëmshme rezultat i një marrëveshjeje, një vendim spontan i protestuesve apo thjesht një armëpushim pas katër ditësh përplasjesh?
Pyetja nuk është më vetëm nëse protestuesit do të rikthehen sot në rrugë, por edhe si do të rikthehen. Me gurë apo me kërkesa? Me përplasje apo me një protestë që mund të dëgjohet përtej zhurmës së dhunës?
Mbrëmë, policia dhe protestuesit u ndanë në paqe. Sot mbetet për t'u parë nëse ajo paqe do të zgjasë dhe nëse dita e pestë do të sjellë një tjetër kapitull të revoltës apo një kthesë në mënyrën e protestimit.






















