
Protestat kundër qeverisë vijon edhe këtë të premte në Tiranë, ku studentëve dhe gjimnazistëve u janë bashkuar edhe prindër e qytetarë, duke e zgjeruar pjesëmarrjen në tubimet që kanë hyrë në ditën e katërt.
Pas marshimit në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, protestuesit janë drejtuar sërish drejt Ministrisë së Arsimit, institucionit përpara të cilit nisën edhe tubimet e para të kësaj vale protestash.
“Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Poshtë qeveria!” kanë qenë disa nga thirrjet që kanë shoqëruar marshimin, ndërsa të rinjtë vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrja e prindërve në protestë shënon një zhvillim të rëndësishëm në mobilizimin e ditëve të fundit, duke treguar se pakënaqësia e shprehur fillimisht nga studentët dhe gjimnazistët po gjen mbështetje edhe te qytetarë të grupmoshave të tjera.
Ndërkohë, protestat nuk janë kufizuar vetëm në kryeqytet. Edhe në qytete të tjera të vendit, nxënës dhe studentë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë organizuar tubime, duke iu bashkuar thirrjeve për ndryshim dhe dorëheqjen e qeverisë.






















