
Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e katërt, duke u shtrirë në disa qytete të vendit. Në Lezhë, Kamëz dhe Gramsh, të rinjtë kanë dalë sërish në rrugë, ndërsa një pjesë e nxënësve kanë bojkotuar procesin mësimor për t'iu bashkuar tubimeve.
Në Lezhë, nxënës kryesisht nga gjimnazi “Hydajet Lezha” kanë ndërprerë mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e qytetit. Protesta është shoqëruar me prani të shtuar të forcave të policisë, të cilat janë dislokuar pranë institucioneve kryesore, ndërsa situata vijon të monitorohet.
Edhe në Kamëz, gjimnazistët kanë bojkotuar sërish mësimin mëngjesin e sotëm, duke dalë të bashkuar nga ambientet e shkollave dhe duke bërë thirrje për revolucion. Të rinjtë janë nisur drejt qendrës së Tiranës për t'iu bashkuar marshimit protestues. Pranë tyre janë vendosur forca të shumta policie, por deri në momentin e raportimit nuk janë shënuar përplasje.
Në Elbasan, gjimnazistët kanë bojkotuar sërish mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa forcat e policisë kanë shoqëruar marshimin e të rinjve. Tubimi vjen pas protestës së një dite më parë në këtë qytet, në kuadër të mobilizimit që ka përfshirë edhe zona të tjera të vendit.
Ndërkohë, protesta është përhapur edhe në Gramsh, ku një grup të rinjsh kanë organizuar një tubim antiqeveritar në mbështetje të studentëve që protestojnë prej ditësh në kryeqytet. Ata i janë bashkuar thirrjeve për ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë.
Lëvizja protestuese, e cila ka nisur në Tiranë, po gjen mbështetje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Gjimnazistë dhe studentë po përdorin bojkotin e mësimit dhe marshimet në rrugë si forma të protestës, ndërsa ndër kërkesat kryesore të tyre është edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protestat vijojnë për të katërtën ditë radhazi, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve në disa qytete tregon se mobilizimi nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet.






















