Reagimeve të shumta publike në mbështetje të rinisë dhe studentëve shqiptarë i është bashkuar edhe këngëtari i njohur i muzikës popullore, Gëzim Nika. Përmes një mesazhi prekës dhe mjaft të fortë, artisti ka shprehur dhimbjen dhe zemërimin e tij për situatën aktuale në vend, duke e vënë theksin te dhuna e ushtruar ndaj të rinjve.
Në nisje të reagimit të tij, Nika ka kujtuar periudhën e vështirë kur iu desh të largohej nga atdheu, duke hequr paralelizma me ngjarjet e sotme:
"Jam me rininë e Shqipnisë! Kam ik me lot në sy e zemër të thyme nga Shqipëria në 97-ën kur plumbat vërshonin mbi kryet e njerëzit vriteshin rrugëve. Po sot ma shumë se kurrë më dhemb shpirti dhe nuk duroj dot kur shoh vendin tem në këtë situatë, ku rinia rrihen e masakrohen."
Më tej, këngëtari shpjegoi lidhjen e tij shpirtërore me atdheun dhe zhgënjimin e thellë për faktin se, edhe pas më shumë se tri dekadash nga rrëzimi i regjimit komunist, vendi po përballet sërish me skena dhune: "I kam këndu Shqipnisë tan jetën me zemër e kam besu se një ditë ky vend i bekum prej Zotit do arrinte me shndrit e me lulzu. Por na që dikur e rrëzum komunizmin që deshi me e shujt krejt familjen teme, sot mbas 30 vitesh po shohim po prap dhunë e shkatërrim. Dhe kjo asht nji dhimbje e madhe që po përjetoj, jo vetëm si artist po si njeri ma s’pari e si prind."
Gëzim Nika i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë pushtetit dhe politikës që të ndalin dhunën dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve e të të rinjve që protestojnë për të drejtat e tyre: "Jam me studentat e me gjithë shqiptarët që e duan kët vend. Politika duhet ti nigjojë studentat e protestuesit e jo me i shpërfill e me i dhunu!"
Në përmbyllje të mesazhit të tij, artisti ka përcjellë një lutje për paqe, duke u bërë thirrje të gjithëve për bashkim dhe mbrojtje të së ardhmes së vendit: "I lutem Zotit të mos lëndohet askush dhe të mos derdhet asnjë pikë gjak tek bijtë e Shqipnisë e ta gëzojë kët vend e ardhmja, rinia me të gjithë ne bashkë."






















