Një atmosferë e pazakontë paqeje po mbizotëron mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë, në ditën e katërt të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Rreth orës 20:30, një grup protestuesish iu afruan efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, duke i përqafuar, duke u dhënë dorën dhe duke u shpërndarë shishe uji.
Të rinjtë u kërkuan policëve të hiqnin kapelet dhe të bashkoheshin me ta, ndërsa efektivët u kërkuan të spostoheshin.
Këto momente vijnë në një mbrëmje kur Ambasada Amerikane në Tiranë ka përcjellë një qëndrim për disa redaksi lidhur me protestat. Në përgjigjen e saj, përfaqësia diplomatike theksoi: “Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protesta ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Aktet e dhunës nuk janë pjesë e angazhimit qytetar.”
Në pamje të parë, mesazhi amerikan dënon dhunën gjatë protestave, por zhvillimet e mbrëmjes tregojnë edhe një tjetër pamje të marrëdhënies mes protestuesve dhe policisë. Pas katër ditësh përplasjesh, të rinjtë që ndodhen përpara Kryeministrisë po përpiqen të komunikojnë paqësisht me efektivët, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente të reja në këtë pjesë të protestës.
Megjithatë, duhet theksuar se numri i protestuesve të mbetur përpara Kryeministrisë është i vogël krahasuar me pjesëmarrjen e ditëve të mëparshme. Atmosfera vijon të jetë e qetë, ndërsa mbetet për t'u parë nëse kjo mbrëmje do të shënojë një ndryshim në mënyrën se si do të zhvillohen protestat dhe si do të reagojë policia ndaj tyre.






















