
Ndërsa nxënësit dhe studentët kanë dalë sërish në rrugë këtë të premte, duke vijuar protestat dhe bojkotin e mësimit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ende nuk ka reaguar publikisht për situatën e sotme.
Në ditën e katërt të protestave, ministrja nuk ka bërë publik asnjë bilanc mbi pjesëmarrjen në mësim. Sa nxënës janë sot në bankat e shkollës? Sa studentë kanë hyrë në auditore? Sa shkolla dhe universitete janë prekur nga bojkoti? Janë pyetje që mbeten pa përgjigje nga institucioni përgjegjës për arsimin.
Në vend të transparencës dhe informimit të qytetarëve, Kumbaro ka zgjedhur deri tani heshtjen në rrjetet sociale. Postimi i saj i fundit mbi situatën është ai i një dite më parë, kur u bëri thirrje prindërve të mos lejonin që fëmijët e tyre të përdoreshin për “qëllime të errëta e të dhunshme”.
Por sot, kur protesta ka hyrë në ditën e katërt, ministrja nuk ka paraqitur asnjë të dhënë që të tregojë se sa normalisht po funksionon sistemi arsimor.
Ministria e Arsimit ka detyrë të informojë publikun se çfarë po ndodh realisht brenda tyre, sa është pjesëmarrja në mësim dhe sa i përhapur është bojkoti.






















