Pas disa minutash qetësie përpara Kryeministrisë, gjatë të cilave policia nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim, efektivët kanë ndërhyrë papritur duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke përdorur ujë me presion në drejtim të protestuesve. Ndërhyrja duket se ka ardhur pas një urdhri të marrë nga forcat e rendit.
Fillimisht protestuesit janë larguar, por më pas janë rikthyer duke sulmuar efektivët e policisë dhe automjetin ujëhedhës. Përballë sulmit, efektivët e FNSH-së kanë braktisur automjetin dhe janë larguar me vrap, ndërsa protestuesit kanë tentuar të hapin derën e tij, duke vijuar ta godasin.
Përplasjet kanë detyruar policinë të tërhiqet, ndërsa protestuesit janë rikthyer sërish në bulevard, duke vijuar qëndresën përpara Kryeministrisë.
Protesta, e cila ka nisur që prej orës 09:00 të mëngjesit, vazhdon ende, mes tensioneve dhe përplasjeve të herëpashershme me forcat e rendit.






















