
Po, po, ndoshta kanë të drejtë Edi Rama, Ervin Demo dhe Skënder Hita kur thonë se pas protestave ka duar të brendshme dhe të huaja që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë. Madje, po ua bëjmë edhe këtë nder: po e marrim të mirëqenë se gjithçka thonë është e vërtetë. Por ka një problem të vogël. Të njëjtën histori na e treguan edhe katër muaj më parë, kur nisën protestat e flamingove. Edhe atëherë kishte armiq të brendshëm, ndërhyrje të huaja dhe skenarë destabilizimi. Çfarë bëri shteti shqiptar gjatë këtyre katër muajve? Sa persona u identifikuan, sa u hetuan dhe çfarë masash u morën për të parandaluar rrezikun për të cilin qeveria pretendon se kishte dijeni?
Sepse, nëse informacionet ishin të vërteta, atëherë nuk po flasim për një protestë që doli papritur jashtë kontrollit, por për një kërcënim të njohur prej muajsh. Dhe një shtet që e di se po përgatitet destabilizimi i vendit nuk mund të mjaftohet me statuse në Facebook pasi digjen institucionet dhe shkatërrohen bizneset. Ka shërbime inteligjente, polici, struktura antiterrori, prokurori dhe një kryeministër që ka detyrimin të garantojë sigurinë e vendit. Apo të gjitha këto institucione funksionojnë vetëm për të zbuluar kush organizon protestat, por jo për të parandaluar dhunën?
Natyrisht, Edi Rama mund të ketë qenë pak i zënë këta muaj. Mes vilave të Belinda Ballukut, dosjeve të njerëzve të tij dhe videove të Vlorës Hysenit, nuk është e lehtë të gjesh kohë edhe për sigurinë kombëtare. Por kjo nuk është një përgjegjësi që mund t’ia faturosh opozitës, studentëve apo agjenturave të huaja sa herë që situata del jashtë kontrollit.
Se mirë që për aferat e ministrave dhe bashkëpunëtorëve të tij Edi Rama ka shpikur formulën e përgjegjësisë personale. Secili përgjigjet për veten dhe kryeministri nuk di asgjë. Po për sigurinë e vendit kush përgjigjet? Kush duhet të japë llogari nëse institucionet kanë pasur informacion për një rrezik dhe nuk kanë vepruar?
Apo edhe siguria kombëtare është përgjegjësi personale e Ergys Agasit?
Sepse nuk mund të pretendosh se i njeh prej muajsh armiqtë që duan të destabilizojnë Shqipërinë dhe pastaj, kur Tirana digjet, të sillesh sikur sapo i ke zbuluar në Facebook.






















