
Kryepolici Skënder Hita tha se protestuesit nuk janë studentë, por të rekrutuar nga organizatorët e vërtetë të protestës.
“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë të rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit”, deklaroi Hita.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u bëri thirrje pjesëmarrësve në tubime “të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit”.
Ai kërkoi po ashtu nga prindërit, mësuesit dhe pedagogët të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.
“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve”, theksoi ai.
Kryepolici tha se çdo qytetar, student apo forcë politike ka të drejtë të protestojë paqësisht, por sipas tij, “protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private”.
Hita dënoi sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe tha se kushdo që përfshihet në akte të tilla do të përballet me ligjin.
“Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin”, tha kryepolici.
Ndërsa u kujtoi vartësve se do të kompensohen për çdo orë shtesë që kanë qëndruar në detyrë.
“Çdo orë shtesë shërbimi do t'ju njihet dhe do të kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve”, theksoi ai.
Kryepolici kërkoi nga vartësit vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. “Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës”, u shpreh më tej.
“Dhe për këdo që mendon se mund të imponojë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë”, theksoi kryepolici.
Hita deklaroi se përgjatë 72 orëve të fundit janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.






















