
Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve janë përshkallëzuar edhe në qytetet e tjera të vendit, ku janë regjistruar përplasje me policinë, sulme ndaj institucioneve, djegie dhe shkatërrim të pronës publike. Incidentet më të rënda janë shënuar në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan, ndërsa tensione janë raportuar edhe në Lushnjë, Vlorë dhe Kukës.
Në Durrës, protesta ka degjeneruar në përplasje të dhunshme me policinë, duke lënë pesë efektivë të plagosur dhe mbi dhjetë persona të shoqëruar. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe pllaka trotuari drejt forcave të rendit, ndërsa policia ka vendosur barrikada rreth 50 metra larg komisariatit për të penguar afrimin e tyre.
Gjatë protestës janë dëmtuar ambientet e Prokurorisë dhe të Postës Shqiptare, ndërsa janë djegur kosha mbeturinash dhe pemë pranë Bashkisë. Protestuesit kanë thyer edhe derën e Prefekturës, duke hyrë brenda godinës. Incidentet kanë nisur pas marshimit të studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të cilët fillimisht ishin grumbulluar në kampusin e Spitallës.
Në Shkodër, protestuesit kanë sulmuar me gurë godinën e Bashkisë, duke thyer xhamat e kateve të para. Sulme janë raportuar edhe ndaj selive të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa dëmtime janë regjistruar edhe në ambientet e Rektoratit. Gjatë protestës është djegur një kabinë prej druri.
Përplasjet me policinë kanë sjellë shoqërimin e disa protestuesve, ndërsa Komandanti i Forcave të Rendit në këtë qytet, Fasli Rama, është goditur me gur në kokë dhe është transportuar për në spitalin e Traums në Tiranë pasi gjendja e tij nuk ka qenë e mirë. Protesta kishte nisur me marshimin e studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, përpara se situata të tensionohej pranë institucioneve.
Në Korçë, protestuesit kanë sulmuar me gurë institucione arsimore dhe godinën e komisariatit të policisë. Janë thyer xhama në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, janë dëmtuar tabela të qarkullimit rrugor dhe janë djegur kosha mbeturinash. Protestuesit kanë bllokuar gjithashtu bulevardin kryesor të qytetit.
Situata është tensionuar më tej gjatë ndërhyrjes së policisë për shoqërimin e protestuesve. Shefi i komisariatit të Korçës, Emiljan Pashaj, është sulmuar fizikisht gjatë një përplasjeje me të rinjtë, ndërsa policia ka ndërhyrë me forca të shtuara dhe ka shoqëruar disa persona. Forcat e rendit kanë bllokuar edhe rrugicën që të çon drejt komisariatit për të penguar incidente të tjera.
Në Elbasan, protestuesit kanë shkatërruar dhe djegur kosha mbeturinash, kanë dëmtuar tabela të qarkullimit rrugor dhe orendi të tjera publike. Një prej incidenteve më të rënda është regjistruar pranë gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”, ku protestuesit kanë shembur derën e institucionit arsimor.
Policia ka shoqëruar tre të rinj pas incidenteve, ndërsa një grup qytetarësh është mbledhur përpara komisariatit për të kërkuar lirimin e tyre. Protesta kishte nisur në orët e mëngjesit, me grumbullimin e gjimnazistëve përpara Bashkisë dhe marshimin drejt shkollave të tjera të qytetit.
Në Lushnjë, protesta e gjimnazistëve ka nisur nga shkolla e mesme mekanike dhe është zgjeruar me pjesëmarrjen e nxënësve të gjimnazeve “28 Nëntori”, “Jani Nushi” dhe “Vath Korreshi”. Të rinjtë kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Gjatë tubimit janë dëmtuar kosha mbeturinash dhe mbrojtëse metalike përgjatë rrugëve.
Në Vlorë, tensionet kanë nisur pranë gjimnazit “Ali Demi”, ku protestuesit kanë bllokuar hyrjen e shkollës dhe u kanë kërkuar nxënësve të ndërpresin mësimin. Situata ka shkaktuar shqetësim te prindërit, disa prej të cilëve kanë mbërritur në oborrin e shkollës dhe u kanë kërkuar llogari protestuesve. Më pas, të rinjtë janë zhvendosur drejt Bashkisë së Vlorës, ku kanë qëlluar me vezë godinën e institucionit.
Në Kukës, grupe të rinjsh dhe të miturish kanë dëmtuar stola dhe tabela të qarkullimit rrugor në qendër të qytetit. Protestuesit kanë goditur me gurë edhe godinën e Pallatit të Kulturës, ndërsa forca policie kanë ndjekur lëvizjen e tyre në rrugët kryesore.
Në Divjakë, protesta është shoqëruar me marshimin e të rinjve dhe djegien e një kabine prej druri. Nxënësit kanë bojkotuar mësimin për t'iu bashkuar protestave, ndërsa nuk ka ende një bilanc të konfirmuar për persona të shoqëruar apo të lënduar.
Në Fier, gjimnazistët e shkollës “Petro Sota” janë grumbulluar në shenjë proteste, por tubimi i tyre është shpërndarë brenda pak minutash. Në qytet është zhvilluar edhe një marshim i kufizuar, pa incidente të rënda apo përplasje të raportuara me policinë.
Në Roskovec, disa grupe nxënësish kanë bojkotuar mësimin, por nuk janë raportuar dëmtime të institucioneve apo përplasje të dhunshme.
Në Sarandë, nxënësit e gjimnazit “Hasan Tahsini” kanë bojkotuar mësimin dhe u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve të bashkohen me protestën. Disa prej tyre kanë pretenduar se nxënës të tjerë janë detyruar të hyjnë në mësim për shkak të presioneve. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa nuk janë raportuar incidente të dhunshme.
Në Kamëz, nxënës dhe studentë kanë marshuar drejt Tiranës për t'iu bashkuar protestës në kryeqytet. Gjatë mobilizimit nuk janë raportuar incidente të veçanta në qytet.
Protestat e ditës së tretë kanë lënë pas efektivë policie të plagosur, persona të shoqëruar dhe dëme në bashki, prokurori, shkolla, seli partish dhe hapësira publike. Përveç Durrësit, ku janë raportuar pesë policë të plagosur dhe mbi dhjetë të shoqëruar, autoritetet nuk kanë publikuar ende një bilanc të plotë për të gjitha qytetet.






















