
Dita e tretë e protestave të gjimnazistëve dhe studentëve është shoqëruar me përplasje me policinë, sulme ndaj institucioneve dhe dëme materiale në disa qytete të vendit. Krahas protestës masive në Tiranë, tensione janë raportuar në Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Divjakë.
Në Korçë, të rinjtë janë përplasur ashpër me policinë, pasi është dhunuar shefi i komisariatit. Sipas raportimeve, policia vendore po përballet me situatën me një numër të reduktuar efektivësh, pasi pjesa më e madhe e tyre është angazhuar në Tiranë. Ndërkohë, gjimnazistët kanë dëmtuar kangjellat përgjatë rrugës dhe kanë krijuar barriera.
Në Durrës, situata është tensionuar pasi një punonjës policie ka goditur një të ri. Miqtë e këtij të fundit kanë reaguar duke dhunuar efektivin. Protestuesit kanë dëmtuar katin e parë të Prokurorisë së Durrësit dhe automjetet jashtë institucionit. Drejtuesja e Prokurorisë ka njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa mbetet e paqartë nëse janë dëmtuar dosjet hetimore.
Në Vlorë, tensione janë shënuar fillimisht pranë gjimnazit “Ali Demi”, ku studentët kanë bllokuar hyrjen e shkollës, ndërsa nxënësit që ndodheshin brenda kanë njoftuar prindërit. Të shqetësuar, prindërit kanë mbërritur në oborrin e shkollës. Sipas raportimeve, disa prej tyre u kanë kërkuar llogari protestuesve për situatën e krijuar, ndërsa këta të fundit kanë vijuar thirrjet për bojkotimin e mësimit.
Më pas, protestuesit në Vlorë janë zhvendosur drejt Bashkisë, ku kanë qëlluar me vezë godinën e institucionit.
Në Shkodër, protesta është shoqëruar me sulme ndaj selive të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa në Divjakë protestuesit kanë vijuar marshimin dhe i kanë vënë flakën një kabine prej druri.






















