
Godina e Ministrisë së Ekonomisë është bërë një nga objektivat e protestuesve në Tiranë, pas disa orësh tubimi dhe përplasjesh në kryeqytet. Protestuesit kanë thyer xhamat e ndërtesës dhe kanë tentuar t’u vënë flakën disa pjesëve të saj, duke e përshkallëzuar më tej situatën pranë institucioneve qendrore.
Pas incidentit në ministri, një grup qytetarësh është drejtuar drejt godinës së dytë të Bankës së Shqipërisë, ish-hotel Dajti. Aty janë regjistruar përpjekje për të dëmtuar kamerat e sigurisë dhe për të thyer xhamat e derës kryesore, e cila është e vetmja pa grila mbrojtëse, sipas raportimeve nga vendngjarja.
Ndërkohë, tensionet janë përhapur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në rrugë janë hedhur vazo me lule, ndërsa janë raportuar dëmtime të tabelave reklamuese, kamerave dhe semaforëve, si dhe vatra zjarri në disa pika të zonës.
Policia ka ndërhyrë pranë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, duke përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmat. Re të gazit kanë përfshirë disa segmente të bulevardit, ndërsa grupe protestuesish kanë vijuar lëvizjet dhe përplasjet në zona të ndryshme.
Protesta është zgjeruar përtej zonës ku nisi, duke u shoqëruar me dëmtime të pronës publike dhe private. Ndërsa protestuesit për momentin ndodhen para godinës së kryeministrisë.






















