
Për të dytën ditë radhazi, Tirana është përfshirë nga protesta të tensionuara, me Ministrinë e Arsimit në qendër të zhvillimeve. Tubimi, i paralajmëruar për orën 14:00, nisi që në mëngjes me bojkotimin e mësimit në disa fakultete dhe u përshkallëzua më pas në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Studentë të Fakulteteve të Drejtësisë, Mjekësisë, Ekonomikut, Politeknikut dhe Shkencave lanë auditorët dhe u organizuan në marshime drejt ministrisë. Një grup studentësh të Mjekësisë iu drejtua Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ftoi të rinjtë t'i bashkoheshin protestës. Edhe nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe bllokuan rrugën pranë shkollës, ndërsa u dogjën kosha mbeturinash në Rrugën e Dibrës.
Bojkoti ishte paralajmëruar pas përplasjeve të një dite më parë, ndërsa studentët u mblodhën sërish për të vijuar protestën para Ministrisë së Arsimit.
Tensionet përshkallëzohen para ministrisë
Me mbërritjen e protestuesve, situata para institucionit u tensionua. Disa prej tyre shkulën kangjellat metalike dhe sinjalistikën rrugore, duke i vendosur në rrugë si barriera. Në drejtim të godinës dhe forcave të policisë u hodhën gurë e sende të forta, ndërsa protestuesit iu drejtuan efektivëve të Forcave Speciale me thirrjen: “Mos na provokoni!”.
Në fazën e parë, efektivët qëndruan brenda perimetrit të godinës. Më pas, protestuesit dëmtuan hyrjen e ministrisë dhe tentuan të shqyenin derën. Gjatë zhvillimeve u dogjën kosha mbeturinash dhe objekte të tjera në rrugë. Gurë u hodhën edhe në drejtim të gazetarëve që po ndiqnin protestën.
Policia përdor autobotë uji dhe gaz lotsjellës
Pas disa orësh tensione, policia ndërhyri me autobotë uji, fillimisht për të shuar zjarret dhe më pas për të shpërndarë turmën. Gjatë ndërhyrjes u shoqëruan disa persona.
Përballë vijimit të hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta, efektivët përdorën edhe gaz lotsjellës dhe mjete tymuese. Si pasojë, një pjesë e protestuesve u largua drejt rrugëve përreth, ndërsa të tjerë u spostuan përkohësisht nga zona e ministrisë.
Pas ndërhyrjes, disa protestues u rikthyen pranë institucionit, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, tensionet ndikuan edhe në qarkullimin rrugor, me bllokime në zonën përreth dhe në Rrugën e Durrësit.
Policia bën thirrje për shmangien e dhunës
Gjatë protestës, Policia e Shtetit u kërkoi pjesëmarrësve të ruanin qetësinë dhe të distancoheshin nga personat e maskuar që, sipas saj, po sulmonin efektivët dhe po dëmtonin pronën publike e private. Në deklaratën e saj, policia theksoi se e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta, ndërsa aktet e dhunës janë të dënueshme me ligj.
Zhvillimet e kësaj të mërkure vijnë pas protestës së një dite më parë dhe bojkotit të mësimit në disa institucione arsimore. Tubimi, i nisur me marshimin e studentëve dhe nxënësve, u shoqërua me dëmtime të raportuara, djegie objektesh në rrugë, hedhje gurësh dhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia.
Protesta vijoi mes tensioneve, ndërsa kërkesat e pjesëmarrësve, përplasjet para Ministrisë së Arsimit dhe mënyra e menaxhimit të situatës nga autoritetet mbeten në qendër të zhvillimeve.






















