Politika 14 October 2026, 22:28 Nga VNA

Një ditë që nisi me studentët dhe përfundoi me Tiranën në flakë. Kush ia dhuroi Edi Ramës kaosin që i duhej?

Ndaje në Whatsapp
Një ditë që nisi me studentët dhe përfundoi me

Në mëngjes Edi Rama kishte përballë studentët. Në mbrëmje kishte përballë një qytet që digjej. Dhe mes këtyre dy pamjeve të së njëjtës ditë qëndron një polici që, në mënyrë të pashpjegueshme, la të sulmoheshin njëri pas tjetrit institucionet shtetërore dhe bizneset private. Një protestë që nisi përpara Ministrisë së Arsimit, me të rinj të zemëruar dhe pa drejtues politikë, përfundoi në një rebelim të dhunshëm që i dha kryeministrit pikërisht atë që nuk e kishte në mëngjes: mundësinë për ta zëvendësuar debatin mbi pakënaqësinë e një brezi me debatin mbi vandalizmin.

Në fillim protestuesit larguan edhe deputetët e Partisë Demokratike që u përpoqën t’u bashkoheshin. Nuk donin politikanë, nuk donin flamuj partie dhe nuk pranonin që revolta e tyre të përvetësohej. Por më pas turma u zhvendos në Rrugën e Durrësit, ku u sulmuan biznese, e mandej drejt Kryeministrisë, Parlamentit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Energjisë. Molotovë, xhama të thyer, zjarre dhe një makinë zjarrfikëse e bllokuar pranë Parlamentit. Tirana po shkatërrohej në sytë e një policie që herë tërhiqej, herë ndërhynte dhe herë dukej sikur priste që protestuesit ta përfundonin sulmin përpara se të vepronte. Nuk ishte më çështje e përdorimit proporcional të forcës. Ishte çështje e mungesës së shtetit. Pamjet të kujtonin 14 shtatorin 1998, kur kryeqyteti mbeti në mëshirë të turmave dhe policia humbi kontrollin e rrugëve. Ndërkohë ministrat, njëri pas tjetrit, dënonin dhunën nga telefonat e tyre, ndërsa godinat e institucioneve që përfaqësonin sulmoheshin.

Por kush e la Tiranën në këtë gjendje? Kush vendosi që institucionet të mos mbroheshin përpara se të sulmoheshin? Ku ishte ministri i Brendshëm dhe ku ishte drejtori i Përgjithshëm i Policisë? Sepse është e vështirë të besohet se një shtet që di të mobilizojë qindra efektivë për një protestë, nuk arrin të mbrojë as ministritë e veta. Dhe ndërsa përgjegjësia penale për dhunën u takon atyre që hodhën molotovët dhe shkatërruan pronën, përgjegjësia politike për atë që ndodhi në rrugët e Tiranës nuk mund të zhduket pas flakëve.

Në fund, Edi Rama mund të jetë njeriu që del më i fituar nga kjo ditë. Studentët që në mëngjes kërkonin largimin e tij, në mbrëmje ishin zhdukur nga pamjet, të zëvendësuar nga zjarret dhe shkatërrimi. Nesër kryeministri mund të tregojë xhamat e thyer, ministritë e sulmuara dhe bizneset e djegura për t’u thënë shqiptarëve se kjo është alternativa e Sali Berishës. Se mund të mos e duan Ramën, por pa të i pret kaosi. Një skenar politikisht i përsosur për një pushtet që prej vitesh kërkon të bindë shqiptarët se zgjedhja e tyre nuk është mes qeverisjes së mirë dhe asaj të keqe, por mes Ramës dhe katastrofës.

Mbetet vetëm një pyetje: Policia e humbi kontrollin e Tiranës apo dikush vendosi se ishte më e dobishme ta linte ta humbiste?

Video

Një lutje mes zemërimit dhe kaosit

Momenti kur protestuesit futen në Komisariatin nr. 2 në Tiranë

“Thirr ambulancën moreee”, gazetarët ndihmojnë policin e dëmtuar në protestë. Gazetarët Isa Myzyraj dhe Sara Demushi kanë lënë raportimin për disa minuta dhe i kanë ardhur në ndihmë policit, i cili gjendet i shtrirë në tokë.

Tiranë/ Protestuesit i vënë flakën një tjetër dyqani të Iute Credit në Rrugën e Elbasanit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme