Teksa kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar personalisht për protestën, ndërsa qëndrimet publike janë artikuluar nga ministrat e tij, reagimeve u është bashkuar edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi. Ky i fundit ka dënuar aktet e vandalizmit ndaj godinës së Kuvendit dhe institucioneve publike, duke i cilësuar të papranueshme. Peleshi thekson se vandalizmi nuk ka lidhje me studentët dhe protestën demokratike, ndërsa nënvizon se dhuna dhe shkatërrimi dëmtojnë interesin publik dhe shoqërinë. Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë, duke theksuar se asnjë axhendë politike nuk është më e rëndësishme se Shqipëria.
Postimi i Peleshit
Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme.
Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë.
U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria.






















