
Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Tiranë më 12 tetor, nuk është kufizuar vetëm në takime diplomatike dhe deklarata për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mediat izraelite kanë zbuluar detaje të marrëveshjeve të nënshkruara gjatë kësaj vizite, përfshirë një objektiv ambicioz për dhjetëfishimin e lidhjeve ajrore dhe mundësinë që qeveria shqiptare të kontraktojë drejtpërdrejt kompani izraelite.
Sipas televizionit i24NEWS, gjatë vizitës së Sa’ar në Shqipëri u nënshkrua një marrëveshje e avancuar bashkëpunimi në fushën e aviacionit, mes ministrit izraelit dhe ministrit shqiptar të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Por detaji më interesant vjen nga gazeta izraelite Israel Hayom, e cila, duke cituar një zyrtar të Ministrisë izraelite të Transportit, raporton se Izraeli synon të rrisë deri në dhjetëfish numrin e fluturimeve dhe lidhjeve ajrore me Shqipërinë.
Sipas gazetës, marrëveshja synon zgjerimin e kapaciteteve të transportit ajror dhe shtimin e mundësive për fluturime mes dy vendeve, përfshirë përdorimin e më shumë orareve në aeroportin Ben Gurion dhe aeroportet shqiptare. Bëhet fjalë për një objektiv të deklaruar nga pala izraelite dhe jo për një dhjetëfishim tashmë të vendosur të fluturimeve.
Israel Hayom raporton gjithashtu se numri i turistëve izraelitë në Shqipëri është rritur nga rreth 7 mijë në 100 mijë në vit gjatë tre viteve të fundit, duke e kthyer vendin tonë në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turistët izraelitë.
Megjithatë, marrëveshja e aviacionit nuk është e vetmja që ka tërhequr vëmendjen e mediave izraelite.
Sipas raportimeve të i24NEWS dhe agjencisë izraelite TPS-IL, gjatë vizitës është nënshkruar edhe një marrëveshje më e gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar, e cila krijon mundësi për përfshirjen e kompanive izraelite në projekte publike në Shqipëri.
Në raportimet izraelite përmendet shprehimisht mundësia që qeveria shqiptare të kontraktojë drejtpërdrejt kompani izraelite.
Ky është një element që meriton shpjegim publik. Nuk është bërë e qartë se çfarë procedurash do të ndiqen për këto kontrata, nëse do të ketë konkurrim të hapur apo nëse marrëveshja parashikon një mekanizëm të veçantë kontraktimi.
Vizita e Gideon Sa’ar u zhvillua në një moment kur Izraeli po përballet me sfida të mëdha diplomatike dhe të sigurisë për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Në Tiranë, ministri izraelit u prit nga homologu Ferit Hoxha dhe zhvilloi takime në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh.
Një detaj që nuk kaloi pa u vënë re ishte edhe mënyra se si televizioni i24NEWS e identifikoi ministrin shqiptar që nënshkroi marrëveshjen e aviacionit. Në vend të Enea Karakaçit, media izraelite publikoi emrin “Eneida Kërcaku”, si në përshkrimin e fotografisë, ashtu edhe në tekstin e lajmit.
Ndërsa mediat izraelite japin hollësi për objektivat e marrëveshjeve, përfshirë dhjetëfishimin e mundshëm të fluturimeve dhe kontraktimin e kompanive izraelite, mbetet e nevojshme që qeveria shqiptare të publikojë tekstet e plota të dokumenteve të nënshkruara.
Sidomos për të sqaruar nëse mundësia e kontraktimit të drejtpërdrejtë është thjesht një instrument bashkëpunimi mes dy qeverive apo krijon një regjim të posaçëm për përzgjedhjen e kompanive izraelite në projektet publike shqiptare.






















