Nisi rreth orës 14:00, si një protestë studentore e paralajmëruar. Askush nuk e dinte se disa orë më vonë, ajo do të shndërrohej në një rebelim që do të zhvendosej nga dyert e Ministrisë së Arsimit në rrugët e Tiranës, duke e mbajtur kryeqytetin në tension deri në orët e vona të mbrëmjes.
Në fillim, mes studentëve kishte edhe mbështetës të partive politike. Por ata u larguan shpejt dhe ajo që mbeti përpara Ministrisë së Arsimit ishte një turmë të rinjsh, të zemëruar, pa një drejtues të dukshëm dhe pa një organizim politik që mund të identifikohej lehtësisht.
Ministria e Arsimit u bë objektivi i parë i revoltës. Jo domosdoshmërisht sepse studentët kishin ndonjë armiqësi të veçantë me ministren, por sepse ajo ishte institucioni që kishin përpara. Aty ku duhej të gjenin përgjigje për problemet e tyre, gjetën policinë.
Dhe pikërisht aty protesta mori një drejtim tjetër.
Përgjigjja e forcave të rendit ishte joproporcionale. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale dhe të transmetuara nga mediat dokumentuan ndërhyrje të dhunshme ndaj të rinjve. Një student, Klevi Metaj, u shfaq i prangosur në dyert e Ministrisë së Arsimit, një imazh që shumë shpejt u kthye në simbolin e asaj që po ndodhte.
Por në vend që ta shuante protestën, ndërhyrja e policisë e zhvendosi atë jashtë oborrit të ministrisë.
Revolta u përhap në rrugët e kryeqytetit, në sheshin qendror, pranë Bashkisë së Tiranës dhe më pas në zona të tjera. Nuk kishte një itinerar të qartë, një tribunë nga ku jepeshin udhëzime apo një figurë që të merrte përsipër drejtimin e saj. Kishte vetëm grupe të rinjsh që lëviznin nga një vend në tjetrin dhe një zemërim që nuk po shuhej.
Madje mungonte edhe flamingoja, simboli tashmë familjar i protestës që ka vijuar për më shumë se 130 ditë. Nuk kishte as atë identitet vizual që zakonisht i bën protestat të dallueshme nga njëra-tjetra.
Kjo ishte një revoltë tjetër.
Dhe pikërisht mungesa e një organizimi të dukshëm e bëri më të vështirë për t’u parashikuar. Nuk kishte një udhëheqës me të cilin të negociohej, një parti që të merrte përgjegjësinë politike apo një organizator që të shpallte përfundimin e protestës.
Ndërkohë, reagimi i qeverisë nuk ndihmoi për të qartësuar situatën. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, reagoi dy herë brenda ditës, me dy deklarata që linin përshtypjen e qëndrimeve të ndryshme. Në të dytën, ai kërkoi verifikimin e përdorimit të forcës nga policia dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale.
Në një kryeqytet ku përplasjet vijonin, ministri po fliste për proporcionalitetin e ndërhyrjes dhe përgjegjësitë e policisë. Por deri në atë moment, askush nuk kishte dhënë një përgjigje të qartë se kush kishte urdhëruar mënyrën e ndërhyrjes dhe kush mbante përgjegjësi për përshkallëzimin.
Në historinë e protestave të viteve të fundit, ajo që ndodhi sot në Tiranë vështirë të krahasohet me një mobilizim të zakonshëm politik.
Ndoshta kujtesa të çon te revolta pas vrasjes së Klodian Rashës në dhjetor të vitit 2020. Edhe atëherë zemërimi shpërtheu jashtë strukturave tradicionale politike, u përhap në rrugë dhe e vendosi qeverinë përballë një reagimi që nuk mund të kontrollohej me mekanizmat e zakonshëm të përballjes me opozitën.
Rrethanat janë të ndryshme dhe krahasimi nuk mund të shkojë më tej se natyra spontane e revoltës dhe përplasja me policinë. Por ka diçka të përbashkët: ndjesinë se zemërimi i grumbulluar prej kohësh mund të shpërthejë nga një ngjarje që askush nuk e kishte parashikuar si pikë kthese.
Sepse sot nuk ishte vetëm Ministria e Arsimit përballë studentëve. Ishte një brez që për orë të tëra u përball me shtetin, pa pritur që dikush t’i jepte leje, t’i caktonte një drejtues apo t’i shkruante një program politik.
A do të vazhdojë nesër? A do të marrë përmasa më të mëdha? A do të shndërrohet në një lëvizje të qëndrueshme apo do të mbetet një shpërthim i vetëm zemërimi?
Askush nuk e di.
Revoltat spontane mund të shuhen po aq shpejt sa lindin. Por mund të bëhen edhe fillimi i diçkaje që politika e kupton vetëm pasi ka ndodhur.
Ajo që dihet është se protesta e sotme nuk përfundoi te kërkesat me të cilat nisi. Ajo nxori në sipërfaqe një pakënaqësi që duket se shkon përtej një ministrie, një vendimi apo një përplasjeje me policinë.
Edi Rama mund të vazhdojë ta lexojë realitetin përmes mandateve elektorale, numrave në Parlament dhe raporteve të progresit nga Brukseli. Por sot, ndërsa qeveria fliste nga Luksemburgu për një tjetër hap drejt Europës, në rrugët e Tiranës të rinjtë po i jepnin një përgjigje krejt tjetër realitetit në të cilin jetojnë.
Nuk dihet nëse nesër do të ketë përsëri protestë. Por pas protestës së sotme, në sfond ka një revoltë. Dhe ajo nuk mbaron domosdoshmërisht kur boshatisen rrugët.






















