Ndërsa në Tiranë vijojnë përplasjet e dhunshme mes studentëve protestues dhe policisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim elektoral në Dibër, ku ka shpalosur një listë bujare premtimesh për shqiptarët.
Berisha deklaroi se që në javën e parë të ardhjes në pushtet do të vendosë minimumin jetik prej 200 eurosh, ndërsa pagat dhe pensionet do të dyfishohen.
Dhe për ata që mund të kenë dyshime se ku do të gjenden paratë, kreu i PD-së kishte një përgjigje të thjeshtë: “Këto para të gjitha janë”. Sipas tij, mjafton që të mos vidhen nga qeveria aktuale.
Berisha premtoi gjithashtu zgjidhje për varfërinë, mungesën e ilaçeve dhe problemet ekonomike, duke garantuar se gjithçka është plotësisht e realizueshme.
Kështu, ndërsa në kryeqytet studentët protestojnë për kushtet dhe të ardhmen e tyre, në Dibër opozita ka nisur të shpërndajë mirëqenien e qeverisjes së ardhshme. Për momentin, vetëm me premtime.






















