Politika 13 October 2026, 22:39 Nga VNA

Përshkallëzimi i protestës, Erion Braçe: Pamje që i shoh që prej vitit 1996, por qytetarët kanë shqetësime legjitime!

Ndaje në Whatsapp
Përshkallëzimi i protestës, Erion Braçe: Pamje që i

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar përshkallëzimin e protestës së studentëve në Tiranë, e cila këtë të martë u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë dhe sulme ndaj institucioneve. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Braçe deklaroi se skenat e dhunës nuk janë të panjohura për Shqipërinë, duke i krahasuar me ngjarje të ngjashme që prej vitit 1996. Megjithatë, ai pranoi se protesta ka ngritur shqetësime legjitime, veçanërisht për strehimin dhe vështirësitë ekonomike të qytetarëve.

“Pamjet që shohim sot nuk janë diçka e re. Janë skena që i kemi parë vazhdimisht që prej vitit 1996, kryesisht të lidhura me forca politike. E drejta për të protestuar është kushtetuese, por po aq të rëndësishme janë edhe të drejtat e qytetarëve të tjerë. Policia duhet të garantojë protestën, por njëkohësisht të ruajë rendin dhe sigurinë publike. Duhet të ekzistojë një ekuilibër mes këtyre të drejtave”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist theksoi se protesta e së martës ndryshonte nga tubimet e mëparshme për shkak të incidenteve të dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve.

 “Deri më tani nuk kishim parë një nivel të tillë dhune apo sulme ndaj institucioneve. Nëse krahasohemi me vendet perëndimore, duhet të shohim edhe mënyrën se si policia reagon ndaj dhunës. Tirana është një qytet që po zhvillohet, po tërheq turistë dhe po kthehet në një aset të rëndësishëm për Shqipërinë, ndaj duhet ta mbrojmë”, tha ai.

Gjatë diskutimit, moderatori Ylli Rakipi ngriti shqetësimin për situatën ekonomike të qytetarëve që protestojnë prej 136 ditësh, duke theksuar se shumë prej tyre nuk kanë mundësi të blejnë një banesë apo të përballojnë çmimet e qirave. Ai kërkoi përgjigje nga mazhoranca, e cila qeveris vendin prej 13 vitesh. Në përgjigje, Braçe pranoi se institucionet publike kanë lënë pas dore disa prej përgjegjësive themelore ndaj qytetarëve, veçanërisht në sektorin e strehimit.

“Protesta ka sjellë në vëmendje interesa dhe shqetësime plotësisht legjitime. Ndoshta gjatë këtyre viteve i kemi hequr shtetit disa përgjegjësi themelore ndaj qytetarëve. Strehimi nuk mund t’i lihet vetëm sektorit privat. Roli social i qeverisjes qendrore dhe vendore në këtë fushë pothuajse nuk ekziston. Edhe ndikimi mbi çmimet e qirave dhe të apartamenteve i është lënë tërësisht tregut”, u shpreh deputeti socialist.

Braçe kritikoi gjithashtu mënyrën e zhvillimit urban të kryeqytetit, duke theksuar se ndërtimet e shumta nuk po kontribuojnë në sigurimin e banesave me çmime të përballueshme.

“Në Tiranë po ndërtojmë keq. Edhe kullat që ngrihen janë kryesisht ndërtesa rezidenciale. Lejet e ndërtimit duhet të shërbejnë si instrument për të rregulluar tregun, por kjo nuk po ndodh. Ndërkohë, apartamentet që përdoren për qira afatshkurtra, si Airbnb, ndikojnë në rritjen e çmimeve. Pyetja është se si mund ta bëjmë një banesë të përballueshme për qytetarët”, theksoi ai.

Braçe tregoi se kishte vizituar disa herë protestuesit në fillimet e tubimit për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tyre, duke kujtuar edhe aludimet se ai qëndronte pas organizimit të protestës.

“Në fillim kam shkuar tri apo katër herë te protestuesit, aq sa në parti nisën të thoshin se protestën e organizoja unë. Shkova për të kuptuar problemet e tyre, sepse në fillim kishte shqetësime shumë të mëdha”, u shpreh ai.

Në përfundim, deputeti socialist kritikoi mënyrën se si institucionet marrin vendime për qytetarët pa i përfshirë ata në procesin e vendimmarrjes.

“Kemi një problem të madh: marrim vendime për qytetarët, por pa qytetarët. Nuk i dëgjojmë dhe nuk i pyesim për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre”, përfundoi Braçe.

Video

Berisha del në konferencë urgjente, u bën thirrje demokratëve t’i bashkohen nesër protestës së studentëve: Në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit

“Kujdes shëndetësor për të gjithë, pa dallim”, thotë ministrja e Shëndetësisë, teksa informon për gjendjen e të lënduarve në spital. Por që kur trajtimi i çdo të lënduari shitet si sukses? Apo duhet t’ju falënderojmë që në urgjencë nuk kërkohet tesera e partisë?

Policia i theu këmbën dhe e tërhoqi zvarrë, i riu flet nga spitali: “Isha në hallin tim”

Këto janë pamjet nga ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës, ku shihen flakë pas hyrjes së një grupi protestuesish në godinë. Protestuesit, të zhvendosur nga Ministria e Arsimit, thyen derën e institucionit pasi hodhën gurë në drejtim të saj. Disa prej tyre arritën të futeshin brenda, ndërsa policia ndërhyri duke nisur arrestimet.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme