Ledion Balla, i riu nga Librazhdi që mbeti i plagosur gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ka deklaruar se thyerja e këmbës i është shkaktuar nga efektivët e Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve të siguruara nga VNA, Balla u ka rrëfyer mjekëve në Spitalin e Traumës se në momentin e ngjarjes ndodhej pranë Ministrisë së Arsimit, ku po ndiqte ndeshjen, dhe se nuk kishte qenë pjesëmarrës në protestë.
I riu ka pretenduar se është dhunuar nga efektivët e policisë gjatë ndërhyrjes së tyre dhe se pikërisht ata i kanë shkaktuar thyerjen e këmbës.
Ndërkohë, ndryshe nga informacionet e raportuara fillimisht, mësohet se Ledion Balla nuk i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Aktualisht ai ndodhet i shtruar në pavionin e Spitalit të Traumës, me këmbën e imobilizuar në allçi.
Gjatë përplasjeve të 13 tetorit në kryeqytet, në rrjetet sociale u publikuan pamje të rënda ku Ledion Balla shfaqej i dëmtuar në këmbë, teksa transportohej në krahë nga disa efektivë policie.
Në raportimet e para, i riu u identifikua si një prej protestuesve të lënduar gjatë përplasjeve me policinë. Megjithatë, informacionet e mëvonshme dhe dëshmia e vetë Ballës paraqesin një version tjetër të ngjarjes, sipas të cilit ai ndodhej rastësisht në zonë dhe nuk ishte përfshirë në protestë.
Pamjet e publikuara ngritën shqetësime edhe për mënyrën se si efektivët vepruan ndaj të riut të plagosur. Në video, policët shihen duke e mbajtur në krahë dhe duke e larguar nga vendngjarja, ndërsa nuk dallohet prania e një autoambulance apo e personelit mjekësor që t’i ofrojë ndihmën e parë.
Mënyra e transportimit të Ballës, në kushtet kur ai kishte pësuar një dëmtim të rëndë në këmbë, ka ngritur diskutime mbi respektimin e procedurave të ndihmës së parë dhe trajtimin e personave të lënduar gjatë ndërhyrjeve policore.
Fillimisht, u raportua se i riu ishte dërguar në Spitalin e Traumës dhe ishte futur në sallën e operacionit. Megjithatë, informacionet e mëvonshme sqarojnë se ai nuk është operuar, por po merr trajtim në pavion, me këmbën në allçi. Dëshmia e të riut hedh dritë mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa ngre pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit që, sipas deklarimit të tij, nuk kishte asnjë lidhje me protestën.






















