Papa Leoni XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe i është nënshtruar të martën, më 13 tetor, një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë. Lajmi është bërë i ditur nga Vatikani, sipas një raportimi të gazetës britanike The Independent.
Analizat kanë konfirmuar se Papa 71-vjeçar vuan nga adenokarcinoma pulmonare, një nga format më të zakonshme të kancerit të mushkërive. Dyshimet për sëmundjen kishin lindur gjatë ekzaminimeve para operacionit, ndërsa diagnoza u konfirmua gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas buletinit mjekësor të Vatikanit, operacioni zgjati rreth 90 minuta, ndërsa Papa qëndroi në sallën kirurgjikale për afro tri orë. Ndërhyrja përfundoi me sukses dhe pa komplikacione. Pas operacionit, Leoni XIV ishte i vetëdijshëm dhe po pushonte në dhomën e spitalit.
Vetë Papa kishte njoftuar të dielën, gjatë lutjes tradicionale, se mjekët kishin zbuluar një nodul të vogël në mushkëri dhe se do t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje për heqjen e tij.
Përpara operacionit, specialistët e onkologjisë kishin vlerësuar se prognoza ishte shumë e mirë, edhe në rast se formacioni rezultonte malinj, pasi ishte zbuluar në një fazë të hershme.
Vatikani ka anuluar të gjitha audiencat publike të Papës deri më 20 tetor, për t'i mundësuar rikuperimin pas ndërhyrjes.
Kjo është një nga problemet më serioze shëndetësore të raportuara për Leonin XIV, i cili njihet për jetën aktive, përfshirë lojën e tenisit dhe notin. Në vitin 1985, gjatë misionit të tij në Peru, ai ishte shtruar në spital pasi ishte prekur nga ethet tifoide.






















