Organi përgjegjës për mbikëqyrjen e policisë në Francë ka hapur 36 hetime për sjelljen e forcave të rendit që nga nisja e protestave mbarëkombëtare të nxënësve të shkollave të mesme, raportoi televizioni BFMTV.
Situata është tensionuar veçanërisht në Lion, ku rreth 11 mijë persona dolën në protestë. Sipas prefekturës së Ronës, nëntë persona janë arrestuar dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre katër efektivë të policisë ose pjesëtarë të xhandarmërisë.
Autoritetet franceze deklaruan se gjatë marshimit, disa qindra protestues sulmuan mobiliet urbane, bizneset dhe forcat e sigurisë, duke hedhur sende në drejtim të tyre.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, mbrojti veprimet e policisë gjatë një seance parlamentare, duke argumentuar se arrestimet u kryen kur protestat u shndërruan në akte dhune ose dëmtimi të pronës. “Kur demonstratat zhvillohen në mënyrë paqësore, nuk ka arrestime nga policia. Kur ka akte dhune, atëherë po, ka ndalime”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Edouard Geffray, bëri të ditur se 88 mijë nxënës të shkollave të mesme kanë marrë pjesë në një platformë konsultimi të qeverisë, e krijuar për të mbledhur shqetësimet dhe kërkesat e të rinjve.
Ndërkohë, drejtuesja e sindikatës CGT, Sophie Binet, bëri thirrje për një grevë mbarëkombëtare dhe protesta më 5 nëntor. Ajo kërkoi rritje të pagave, më shumë financim për shërbimet publike dhe tërheqjen e buxhetit që e cilësoi si shtrëngues.
Hapja e hetimeve ndaj sjelljes së policisë vjen në një kohë kur autoritetet franceze përballen me presion për menaxhimin e protestave, ndërsa përplasjet dhe arrestimet kanë shtuar tensionet në rrugët e vendit.






















