Bota 13 October 2026, 17:32 Nga VNA

Tragjedi në parkun e lojërave në SHBA, një person humb jetën dhe disa plagosen në një tren fluturues/ Dëshmitarët: Burri ra nga sedilja në lartësi

Ndaje në Whatsapp

Tragjedi në parkun e lojërave në SHBA, një person humb

Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një incidenti të rëndë në një tren fluturues në parkun e lojërave Six Flags Over Georgia, në shtetin amerikan të Xhorxhias, rreth 24 kilometra larg Atlantës.

Sipas BBC, policia e qarkut Cobb ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa autoritetet nuk kanë sqaruar ende shkaqet e vdekjes apo mënyrën se si janë plagosur personat e tjerë.

Pamjet e filmuara nga helikopterët e televizioneve amerikane tregojnë trenin fluturues të quajtur Goliath, të ndaluar në mes të itinerarit, ndërsa punonjësit e parkut ndihmonin pasagjerët të zbrisnin. Policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht se cili atraksion është përfshirë në incident.

Dëshmitarët kanë përshkruar skena dramatike, duke pretenduar se një burrë është shkëputur nga sedilja ndërsa treni ishte në lëvizje.

Një dëshmitar i cituar nga televizioni lokal 11 Alive ka treguar se burri kishte dalë nga sistemi i sigurimit, ishte përplasur me strukturën e trenit dhe me disa pasagjerë, përpara se të binte mbi çatinë e një atraksioni tjetër të parkut, të njohur si shtëpia e fantazmave.

Sipas të njëjtit dëshmitar, incidenti mund të jetë regjistruar edhe nga kamerat automatike që fotografojnë pasagjerët gjatë udhëtimit.

Një çift që ndodhej në tren i tha televizionit 11 Alive se kishte parë burrin të binte dhe më pas të goditej nga treni. Ata deklaruan se punonjësit kishin kontrolluar sistemet e sigurimit përpara nisjes.

“Po kalonim shumë mirë, derisa papritur filluam të bërtisnim: O Zot, çfarë po ndodh?”, tregoi gruaja.

Një tjetër dëshmitare, CiCi Nelson, i tha CNN se po priste në radhë për të hipur në Goliath kur treni u kthye në stacion. Ajo pa një sedilje bosh, me mekanizmin e sigurimit të liruar, dhe një vajzë të mbuluar me gjak.

Sipas saj, mes njerëzve kishte shpërthyer paniku, ndërsa një burrë bërtiste se dikush kishte rënë nga treni.

Edhe Brittany Landry, e intervistuar nga Fox News, deklaroi se besonte se kishte parë momentin kur burri ishte shkëputur nga treni. Ajo tregoi se kishte shpërthyer në lot, pasi pak më parë kishte qenë vetë në të njëjtin atraksion.

BBC thekson se dëshmitë për rënien e burrit nga treni nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende rrethanat e sakta të incidentit dhe as identitetin e viktimës.

Pas ngjarjes, kompania Six Flags deklaroi se ishte thellësisht e tronditur dhe njoftoi pezullimin e përkohshëm të funksionimit të nëntë atraksioneve në parqet e saj në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, si masë paraprake.

Kompania tha se punonjësit e saj dhe shërbimet lokale të emergjencës kishin ndërhyrë menjëherë dhe se po bashkëpunonte plotësisht me hetuesit.

Treni fluturues Goliath, i hapur në vitin 2006, është një nga atraksionet më të njohura të parkut. Ai arrin një lartësi prej rreth 60 metrash, përfshin një zbritje prej 52 metrash dhe një spirale prej 540 gradësh. Shpejtësia maksimale arrin në 112 kilometra në orë.

Në klasifikimin e vet të intensitetit të atraksioneve, Six Flags e vlerëson Goliath me katër nga pesë nivelet e mundshme.

Ngjarja në Xhorxhia ndodh vetëm disa javë pasi një tjetër park i kompanisë, në Kaliforninë Jugore, njoftoi mbylljen e trenit fluturues X2, pas pretendimeve të më shumë se 100 personave se kishin pësuar dëmtime në tru gjatë përdorimit të tij.

Six Flags deklaroi se X2 kishte kaluar një sërë testesh sigurie, por se kompania kishte vendosur ta hiqte përfundimisht nga funksionimi.

Six Flags është operatori më i madh i parqeve argëtuese në Amerikën e Veriut, me 20 parqe argëtimi, 14 parqe ujore dhe nëntë komplekse turistike në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Lexo gjithashtu

Video

Berisha del në konferencë urgjente, u bën thirrje demokratëve t’i bashkohen nesër protestës së studentëve: Në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit

“Kujdes shëndetësor për të gjithë, pa dallim”, thotë ministrja e Shëndetësisë, teksa informon për gjendjen e të lënduarve në spital. Por që kur trajtimi i çdo të lënduari shitet si sukses? Apo duhet t’ju falënderojmë që në urgjencë nuk kërkohet tesera e partisë?

Policia i theu këmbën dhe e tërhoqi zvarrë, i riu flet nga spitali: “Isha në hallin tim”

Këto janë pamjet nga ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës, ku shihen flakë pas hyrjes së një grupi protestuesish në godinë. Protestuesit, të zhvendosur nga Ministria e Arsimit, thyen derën e institucionit pasi hodhën gurë në drejtim të saj. Disa prej tyre arritën të futeshin brenda, ndërsa policia ndërhyri duke nisur arrestimet.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme