Një ofertë e pazakontë e Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office) ndaj një familjeje siriane që kërkon azil në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur shqetësime për saktësinë e vendimmarrjes në sistemin britanik të emigracionit. Sipas një investigimi të publikuar nga gazeta skoceze The National, 39-vjeçari Fadi Alsakka, bashkëshortja e tij Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe, të cilët jetojnë në Glasgow, kanë marrë një dokument nga Home Office ku u ofrohet ndihmë financiare prej 3 mijë paundësh për t’u zhvendosur në Shqipëri.
Në dokumentin e shqyrtuar nga gazeta britanike thuhet se kjo mbështetje financiare mund ta ndihmojë familjen të ndërtojë të ardhmen e saj afatgjatë në Shqipëri. Megjithatë, familja nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë dhe asnjë prej anëtarëve të saj nuk ka qenë ndonjëherë në Shqipëri.
Familja denoncon gabime të përsëritura nga autoritetet britanike
Duke folur për The Sunday National, Fadi Alsakka e ka cilësuar rastin si një gabim serioz administrativ, me pasoja potencialisht të rënda për njerëzit që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur kontrollon jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Mund të jetë një gabim fatal”, është shprehur ai. Sipas gazetës, ky nuk është problemi i parë që familja ka hasur me administratën britanike. Në një rast të mëparshëm, Home Office ishte detyruar t’i dërgonte gjashtë herë kartat britanike të identifikimit, pasi në pesë përpjekjet e para kishte vendosur gabimisht fotografinë e djalit të familjes në dokumente. Por shqetësimi më i madh i familjes lidhet me vendimin për refuzimin e kërkesës së azilit, të cilin ata e kanë kundërshtuar në gjykatë.
Sipas Alsakka, autoritetet kanë bërë një tjetër gabim të rëndësishëm në interpretimin e ngjarjeve mbi të cilat mbështetet kërkesa e tij për mbrojtje. Ai ka shpjeguar se një incident që i kishte ndodhur në Siri gjatë vitit 2025 ishte paraqitur në dokumentacionin e refuzimit sikur të kishte ndodhur në vitin 2023. Për më tepër, autoritetet kishin përdorur një vizitë që familja kishte kryer në Siri në vitin 2023, për të takuar një të afërm në gjendje të rëndë shëndetësore, si argument se familja nuk përballej me rrezik në vendin e origjinës. Alsakka e ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke theksuar se incidenti mbi të cilin mbështetet kërkesa e tij për azil kishte ndodhur dy vjet pas asaj vizite.
Home Office i sugjeron edhe rikthimin në Alepo
Dokumenti i shqyrtuar nga The Sunday National nuk përmbante vetëm propozimin për zhvendosjen në Shqipëri. Sipas gazetës, autoritetet britanike kishin sugjeruar gjithashtu se familja mund të ndërtonte një jetë të re në një qytet sirian, si Alepo. Për Fadi Alsakka, të dyja alternativat përfaqësojnë një shkëputje nga jeta që familja ka ndërtuar në Skoci dhe një rikthim drejt pasigurisë. 39-vjeçari ka treguar se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar jashtë Sirisë dhe se nuk ka më lidhje të forta familjare apo shoqërore me vendin e origjinës.
Ai ka jetuar vetëm dhjetë vjet në Siri, ndërsa fëmijët e tij kanë lindur jashtë këtij vendi. Për këtë arsye, sipas tij, rikthimi në Siri do të ishte pothuajse po aq i huaj sa zhvendosja në Shqipëri. Alsakka ka vënë në dukje edhe kontradiktën mes qëndrimit të autoriteteve britanike ndaj qytetarëve të tyre dhe trajtimit të azilkërkuesve.
Ndërsa qeveria britanike këshillon shtetasit e saj të mos udhëtojnë drejt Sirisë për shkak të kushteve të paparashikueshme të sigurisë dhe kërcënimeve terroriste, familjeve që kërkojnë azil u sugjerohet rikthimi në këtë vend.
Dyshimet për përdorimin e inteligjencës artificiale
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i raportimit lidhet me dyshimet e familjes se gabimet në dokumentacion mund të kenë ardhur si pasojë e përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset administrative.
Lojain Alsakka, e cila ndjek studimet master për inteligjencën artificiale në Universitetin e Glasgow-t, dhe bashkëshorti i saj, që po ndjek një program të dytë master në Universitetin e St Andrews, kanë shprehur shqetësimin se përpjekjet për të përshpejtuar shqyrtimin e dosjeve të azilit mund të ndikojnë në cilësinë e vendimeve.
The National i referohet edhe një raportimi të gazetës The Independent, sipas të cilit sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga Home Office për përshpejtimin e vendimmarrjes nuk kishin përmbushur standardet e saktësisë në 22% të rasteve të shqyrtuara.
Megjithatë, gazeta skoceze sqaron një detaj thelbësor: sipas informacionit që ajo ka siguruar, inteligjenca artificiale nuk është përdorur për përgatitjen e letrës që përmbante gabimin me Shqipërinë.






















