Grupi parlamentar i Partisë Socialiste funksionon sipas rregullave të Bundestagut gjerman dhe Parlamentit britanik. Të paktën kështu e shpjegon deputetja socialiste Sara Mila disiplinën e votimit në PS, ku edhe ata që kanë kundërshtime ndaj një vendimi, në fund votojnë njësoj si të tjerët.
E ftuar në emisionin “Top Story”, Mila ka marrë përsipër të shpjegojë se përse deputetët socialistë votuan në bllok Reformën Territoriale, pavarësisht kundërshtimeve që disa prej tyre kishin shprehur më parë.
“Ne kemi ndjekur një rregull disiplinor, të cilin e shohim të zbatohet shpesh në Bundestag apo në Parlamentin britanik”, deklaroi ajo.
Kështu, pas shumë vitesh përpjekjesh për t’iu afruar standardeve europiane, Shqipëria rezulton se e ka arritur nivelin e demokracisë parlamentare gjermane, të paktën brenda grupit socialist.
Por krahasimi me Bundestagun nuk ishte argumenti i vetëm i deputetes. Mila shpjegoi se nuk ka asnjë kompleks të mendojë ndryshe nga kryetari i partisë, Edi Rama. Madje, sipas saj, mund të ketë mendime pro dhe kundër tij. Vetëm se deri tani nuk i ka ndodhur të ketë ndonjë arsye për ta kundërshtuar.
“Nuk kam komplekse të mendoj ndryshe kur kam mendime pro dhe kundër kryetarit. Unë kam besim absolut se kryetari im nuk voton kundër Shqipërisë dhe nuk e mendoj të arsyeshme të hedh një votë kundër”, u shpreh Mila.
E pyetur konkretisht se në cilin rast kishte pasur mendim të kundërt me kryetarin, deputetja pranoi se një rast i tillë ende nuk ishte regjistruar.
“Deri tani nuk më ka ndodhur të jem kundër, sepse nuk ka pasur arsye të jem kundër kryetarit”, tha ajo.
Pra, liria për të menduar ndryshe ekziston. Thjesht nuk është përdorur ende.
Për të mbrojtur disiplinën socialiste, Mila solli edhe shembullin e Partisë Demokratike, duke pyetur përse asnjë deputet opozitar nuk votoi pro reformës. Sipas saj, edhe demokratët kanë ndjekur vendimin e grupit parlamentar.
Me këtë logjikë, fakti që opozita votoi kundër dhe mazhoranca votoi pro provon se të dyja palët respektojnë disiplinën. Çfarë mendojnë individualisht deputetët dhe çfarë vlere kanë kundërshtimet e tyre publike mbetet një çështje dytësore.
Në fund, Mila këmbënguli se votimi nuk duhet interpretuar si bindje ndaj kryetarit, por si respektim i vendimit kolektiv të grupit parlamentar.
Dhe kështu, Bundestagu shqiptar ka një avantazh të dukshëm ndaj origjinalit gjerman: deputetët janë të lirë të mos bien dakord me kryetarin, por kryetari, për fat të mirë, nuk u ka dhënë ende asnjë arsye për ta bërë këtë.






















