
Pasi injoroi punën e komisionit të parë dhe votoi të enjten e kaluar një reformë të njëanshme me ndarjen e re në 46 bashki, Partia Socialiste i është drejtuar sërish zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Me një kërkesë të re, shumica kërkon ngritjen e një tjetër Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me atë që e cilëson si "Faza e Dytë e Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë".
Kjo kërkesë vjen pasi Kuvendi miratoi në tetor 2026 ligjin nr. 100/2026 për ndarjen e re administrative, proces i cili u parapri nga Raporti Përfundimtar i paraqitur më 15 korrik 2026 nga komisioni i mëparshëm. Në dokumentin e dorëzuar nga Grupi Parlamentar i PS-së, kërkohet ngritja e një strukture të re me 16 anëtarë për të hartuar kuadrin ligjor përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Kërkesat dhe objektivat e komisionit të ri
Sipas kërkesës zyrtare, faza e dytë fokusohet në tri shtylla kryesore që mbeten për t'u rregulluar me ligje të veçanta:
Funksionet dhe shërbimet: "Plotësimi i ligjit nr. 139/2015 'Për vetëqeverisjen vendore' me statusin e qytetit, nënkryetarin e qytetit, përfaqësimin dhe organizimin e brendshëm bashki–qytet–njësi administrative".
Financat vendore: "Standardet minimale të shërbimeve dhe burimi i financimit për çdo funksion; formula e re e transfertës së pakushtëzuar mbi të dhënat e Censit 2023 dhe ndryshimet në ligjin nr. 68/2017 'Për financat e vetëqeverisjes vendore'".
Niveli rajonal: "Një nivel rajonal funksional, mbi strukturën ekzistuese të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 102/2020 'Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin'".
Në argumentimin e tyre, deputetët e shumicës parlamentare theksojnë se: "Logjika e reformës është e qartë: nuk mund t’u shtohen kompetenca bashkive që sot nuk i kryejnë dot as ato që kanë; bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër".
Përbërja dhe afati 9-mujor
Në kërkesën drejtuar Kuvendit propozohet që:
"Komisioni i Posaçëm të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare".
Kohëzgjatja e veprimtarisë parashikohet të jetë "brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij".
Gjithashtu, pranë këtij komisioni kërkohet të ngrihet një grup ekspertësh vendas e ndërkombëtarë, si dhe të zhvillohen konsultime me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.






















