Zgjedhjet vendore 2027/ Berisha kundër votimit elektronik: Nuk e pranojmë në asnjë bashki, është i manipuluar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë kundër përdorimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në konferencën për mediat, Berisha deklaroi se opozita nuk do ta pranojë aplikimin e kësaj teknologjie në asnjë bashki të vendit, duke pretenduar se sistemi është i manipulueshëm.
Sipas Berishës, votimi elektronik është manipuluar në proceset e mëparshme zgjedhore, ndërsa akuzoi edhe Shërbimin Informativ Shtetëror për përfshirje në këtë proces.
“Asnjë bashki nuk pranohet me numërim elektronik. PD nuk pranon. Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme, është implikuar direkt SHISH, janë krijuar serverë paralelë, s’pranojmë asgjë të manipulueshme në procesin zgjedhor”, deklaroi Berisha.
Qëndrimi i demokratëve vjen në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, Partia Demokratike ishte e vetmja forcë pjesëmarrëse që nuk mbështeti zgjerimin e votimit elektronik, ndërsa përfaqësuesit e partive të tjera rekomanduan aplikimin e kësaj teknologjie në disa bashki ose në të gjithë territorin e vendit.






















