Pas më shumë se tre vitesh bllokim të fondeve IPARD për fermerët shqiptarë, qeveria po përgatit ndryshime ligjore për t'ia kaluar kontrollin e ndihmës shtetërore Autoritetit të Konkurrencës. VNA ka mësuar se kjo reformë është një prej masave që lidhen me kërkesat e Bashkimit Evropian për forcimin e kontrollit të fondeve, përpara rifillimit të financimeve për bujqësinë._
Bashkimi Evropian vijon të mos rihapë fondet IPARD për Shqipërinë, të pezulluara që prej korrikut 2023, pas hetimeve për parregullsi dhe dyshime për abuzime me paratë evropiane. Brukseli kërkon marrjen e masave korrigjuese dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit përpara rifillimit të financimeve.
Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka përgatitur ndryshimet në ligjin “Për ndihmën shtetërore”, përmes të cilave kontrolli i subvencioneve dhe mbështetjes financiare publike do të transferohet nga strukturat pranë Ministrisë së Ekonomisë tek Autoriteti i Konkurrencës.
VNA ka mësuar se forcimi i kontrollit të pavarur të ndihmës shtetërore është një prej masave që lidhen me kërkesat e BE-së, në kuadër të përpjekjeve për rikthimin e besimit në administrimin e fondeve publike dhe evropiane dhe hapjen e fondeve IPARD për qytetarët tanë.
Sipas projektligjit dhe relacionit shpjegues të siguruar nga VNA, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, e drejtuar nga Delina Ibrahimaj, pranon se ndryshimet vijnë edhe si përgjigje ndaj kërkesave të Komisionit Evropian.
“Në Raportin për Shqipërinë 2025 të Komisionit Evropian, në kuadër të Kapitullit 8 ‘Politika e Konkurrencës’, është evidentuar nevoja për forcimin e pavarësisë operacionale dhe kapaciteteve administrative të strukturave përgjegjëse për kontrollin e ndihmës shtetërore”, thuhet në relacion.
Thelbi i reformës është që institucionet qeveritare që japin ndihmën financiare të mos jenë njëkohësisht edhe kontrolluesit e saj. Për këtë arsye, kompetencat do t'i kalojnë Autoritetit të Konkurrencës, një institucion të pavarur nga qeveria.
Projektligji përcakton shprehimisht se Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të marrë udhëzime nga Këshilli i Ministrave, ministritë apo institucionet që shpërndajnë ndihmën shtetërore. Ai do të ketë kompetenca për hetimin e skemave të mbështetjes, pezullimin dhe urdhërimin e kthimit të ndihmave të paligjshme.
Ndryshimet përfshijnë për herë të parë në fushën e zbatimit të këtij ligji edhe sektorët e bujqësisë dhe peshkimit.
Ndërkohë, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka hetuar parregullsitë në përdorimin e fondeve IPARD, ndërsa SPAK ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për abuzime me këto fonde. Hetimet evropiane shkaktuan dhe bllokimin e shpërndarjes së granteve evropiane në Shqipëri.
Si pasojë e problematikave të konstatuara, Shqipëria ka mbetur pa akses në programin IPARD III, për të cilin Bashkimi Evropian kishte parashikuar 112 milionë euro mbështetje.
Sipas relacionit, transferimi i kompetencave tek Autoriteti i Konkurrencës do të realizohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore.
Megjithatë, projektligji nuk përcakton se miratimi i tij sjell automatikisht zhbllokimin e IPARD. Fondet për fermerët do të varen nga vlerësimi i Komisionit Evropian për përmbushjen e masave korrigjuese dhe garancive të kërkuara për administrimin e tyre.






















