
Erion Braçe ka shkruar një roman të tërë për të shpjeguar një votë. Ka sharë kryeministrin, ka fyer komentuesit, ka ironizuar profesorë, akademikë e kolegë, ka denoncuar autoritarizmin në Partinë Socialiste, ka folur për dhunën e disiplinës, për thuprën e bariut dhe për dashurinë patologjike të Edi Ramës me pushtetin. Vetëm një gjë nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm: përse, pasi i di dhe i thotë të gjitha këto, vazhdon të votojë siç i kërkon pikërisht njeriu që akuzon.
Në reagimin e tij të gjatë, Braçe nuk kursen askënd. Rama është arrogant, imponues, i dashuruar me pushtetin dhe i paaftë të pranojë se mund të gabojë. Partia Socialiste, sipas tij, po përjeton deformimin më të madh antidemokratik. Deputetët detyrohen t’i nënshtrohen disiplinës së thuprës, ndërsa mendimi ndryshe shtypet për hir të autoritetit të kryetarit.
Deri këtu, Braçe tingëllon si një opozitar i vendosur. Madje, po të mos dije se kush e ka shkruar tekstin, mund të mendoje se autori sapo ka vendosur të shpallë luftë politike kundër Edi Ramës.
Por pastaj vjen fjalia që e kthen gjithë këtë kryengritje në një akt dorëzimi.
“Unë votova që të mos iki, por të qëndroj.”
Kaq. Pas gjithë asaj retorike për dinjitetin, demokracinë, përfaqësimin dhe të drejtën për të menduar ndryshe, deputeti që pretendon se nuk i nënshtrohet askujt pranon se votoi për të mos humbur vendin në grupin parlamentar.
Pra, Erion Braçe është kundër reformës, por voton pro. Është kundër imponimit, por pranon imponimin. Është kundër disiplinës së bariut, por kur bariu ngre thuprën, shkon vetë në rresht.
Dhe këtë e quan qëndresë.
Madje, Braçe ka edhe një shpjegim më fisnik për kompromisin e tij: 25 mijë qytetarët që e kanë votuar. Sipas tij, ata i kanë dhënë një punë që ai nuk mund ta braktisë. Por këtu lind një pyetje e thjeshtë: ata 25 mijë njerëz e votuan që të përfaqësonte bindjet e tij apo që t’i ndryshonte ato sa herë Edi Rama kërcënon me përjashtim?
Sepse nëse një deputet pranon se një ligj është i gabuar, se nuk përbën reformë, se mund të dëmtojë qytetarët dhe përsëri e voton vetëm për të ruajtur pozicionin e tij politik, atëherë problemi nuk është më vetëm te kryeministri që imponon. Është edhe te deputeti që në fund pranon.
Braçe shkon edhe më tej. Ai e akuzon Ramën se ka shpërdoruar pushtetin duke ua deleguar ministrave dhe drejtorëve të padenjë, se ka bërë gabime të rënda dhe se duhet të mbajë përgjegjësi personale.
Por Braçe kujdeset që kjo peshë të mos bjerë kurrë mbi kartonin e tij të votimit.
Ai e godet Ramën me fjalë dhe e shpëton me votë. I kundërshton autoritetin në Facebook dhe ia konfirmon në Kuvend. E denoncon sistemin si antidemokratik, por zgjedh të mbetet pjesë e tij, duke iu nënshtruar pikërisht mekanizmit që denoncon.
Në fund, përpiqet ta paraqesë votën e tij si një akt rezistence. Thotë se ka prishur një plan politik dhe se vota e tij ishte e 85-ta, ndërsa e 84-ta ishte aty për një tjetër qëllim.
Por as këtu nuk sqaron se çfarë plani prishi, kush e kishte hartuar dhe pse një votë në favor të Ramës duhet konsideruar një fitore kundër tij.
Braçe ka një avantazh të madh ndaj socialistëve të tjerë: të paktën ai flet. Kritikon, debaton, kundërshton dhe shpesh artikulon probleme që kolegët e tij preferojnë t’i kalojnë në heshtje.
Por kur vjen momenti që fjalët të kthehen në vendim, rebelimi i tij përfundon aty ku fillon disiplina e grupit.
Mund të shkruash dhjetë faqe kundër autoritarizmit. Mund ta quash kryetarin bari, mund të denoncosh thuprën, mund të flasësh për dinjitetin e deputetit dhe sovranitetin e votës. Por nëse në fund voton kundër bindjes sate për të mos u nxjerrë jashtë rreshtit, gjithë ai manifest mbetet thjesht një mënyrë më elegante për të justifikuar bindjen.
Erion Braçe ka guximin t’ia thotë Edi Ramës të gjitha në sy. I mungon vetëm guximi për t’ia thënë një herë të vetme “jo” me votë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Rama mund t’ia lejojë edhe romanet, edhe revoltat, edhe akuzat për autoritarizëm. Sepse në fund, kur numërohen kartonët, nuk kanë rëndësi sa fort ka bërtitur Braçe.
Rëndësi ka që ka votuar pro.
Thuprën mund ta shajë sa të dojë. Mjafton t’i bindet.






















