Qytetarët që pësojnë dëme nga përmbytjet, tërmetet apo fatkeqësi të tjera natyrore rrezikojnë të përballen me një trajtim financiar të paqartë. Ministria e Mbrojtjes propozon që detyrimi i bashkive për të dëmshpërblyer qytetarët të zëvendësohet me akordimin e ndihmës financiare. Ministria e Financave ka ngritur kundërshtime, duke paralajmëruar se ndihma financiare nuk nënkupton domosdoshmërisht kompensimin e dëmit dhe se nuk është përcaktuar sa do të përfitojnë të dëmtuarit.
Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e trajtimit financiar të qytetarëve që pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore. Në vend të detyrimit ligjor për dëmshpërblimin e tyre, bashkitë do të kenë detyrimin të akordojnë ndihmë financiare, pa përcaktuar qartë se çfarë pjese të dëmit do të mbulojë kjo ndihmë.
Ndryshimi parashikohet në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2019, “Për mbrojtjen civile”, të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Projektligji dhe relacioni shpjegues i siguruar nga VNA zbulojnë se ndryshimi ka shkaktuar kundërshtime edhe brenda qeverisë, konkretisht nga Ministria e Financave, e cila ka kërkuar argumentimin e politikës së re të trajtimit të qytetarëve të dëmtuar.
Sipas ligjit aktual, bashkitë kanë detyrimin të vlerësojnë dëmet nga fatkeqësitë dhe të dëmshpërblejnë qytetarët. Por në nenin 16 të projektligjit, që ndryshon nenin 30 të ligjit ekzistues, ky formulim zëvendësohet.
Dispozita e propozuar përcakton se bashkitë kryejnë vlerësimin e dëmeve dhe të nevojave për përballimin e tyre, si dhe “akordojnë ndihmë financiare për shtetasit e dëmtuar nga fatkeqësitë e ndodhura në territorin e tyre”.
Ndërkohë, ligji në fuqi përdor shprehimisht formulimin “dëmshpërblejnë shtetasit për fatkeqësitë e ndodhura në territorin e tyre”.
Dallimi nuk është thjesht gjuhësor. Ndërsa dëmshpërblimi lidhet me kompensimin e një dëmi të shkaktuar, ndihma financiare mund të jetë një shumë që nuk mbulon domosdoshmërisht vlerën e humbjeve.
Pikërisht këtë problem ka evidentuar Ministria e Financave gjatë shqyrtimit të nismës.
Në komentet zyrtare, të pasqyruara në relacionin e siguruar nga VNA, Ministria e Financave shprehet:
“Lidhur me këtë ndryshim nuk gjejmë të argumentuar përse ndryshohet termi i dëmshpërblimit me akordimin e ndihmës financiare dhe është e paqartë përqindja e dëmit që do të mbulojë ndihma financiare.”
Ministria shkon më tej, duke paralajmëruar se ndryshimi përfaqëson një politikë të re që kërkon argumentim.
“Ndihma financiare nuk nënkupton gjithmonë kompensim të dëmit dhe kjo përbën një politikë të re e cila duhet të argumentohet”, thekson Ministria e Financave.
Kjo do të thotë se për një familje që humbet banesën nga një tërmet apo përmbytje, projektligji nuk jep një përgjigje të qartë se çfarë përqindjeje të dëmit do të mbulohet nga bashkia.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes, si propozuese e nismës, argumenton në relacion se ndryshimet synojnë forcimin e sistemit të mbrojtjes civile dhe përmirësimin e reagimit shtetëror ndaj fatkeqësive.
Në dokument, ndër përparësitë e projektligjit renditet “Ridimensionimi i përfshirjes shtetërore në përballimin e dëmeve ekonomikë të shkaktuar nga fatkeqësitë”.
Por ky objektiv i përgjithshëm nuk shoqërohet në dispozitën përkatëse me një formulë konkrete që përcakton masën e ndihmës financiare për qytetarët.
Debati mes dy ministrive nuk kufizohet vetëm te detyrimet e bashkive. Ministria e Financave ka kundërshtuar gjatë procesit të hartimit edhe propozimin për ndryshimin e titullit të nenit 41 të ligjit, nga kompensimi i dëmeve drejt ndihmës financiare shtetërore.
Sipas Ministrisë së Financave, një ndryshim i tillë kërkonte sqarime për përputhshmërinë me legjislacionin e ndihmës shtetërore dhe për natyrën e re të mbështetjes financiare.
“Për këtë arsye në vlerësimin tonë, nuk duhet të ndryshohet neni 41 në fuqi”, është shprehur Ministria e Financave.
Ky kundërshtim për nenin 41 rezulton të jetë pranuar dhe reflektuar gjatë ripunimit të projektligjit. Megjithatë, ndryshimi i formulimit për detyrimet e bashkive, nga dëmshpërblimi te ndihma financiare, mbetet në tekstin e propozuar.
Në përgjigjet e pasqyruara në relacion, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile argumenton se detyrimet kryesore të bashkive janë tashmë të përcaktuara në ligjin ekzistues dhe se ndryshimet synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale.
Për financimin, AKMC i referohet mekanizmave ekzistues të mbështetjes së bashkive përmes fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit, duke theksuar se mosrealizimi i plotë i tyre në praktikë nuk mund të shërbejë si argument për shmangien e detyrimeve ligjore.
Megjithatë, këto sqarime nuk përcaktojnë se sa para do të marrë konkretisht një qytetar në raport me dëmin e pësuar.
Për rrjedhojë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e paraqet nismën si një reformim të sistemit të mbrojtjes civile, dokumentet evidentojnë një pikëpyetje thelbësore për qytetarët: a do të kompensohen dëmet e tyre apo do të përfitojnë vetëm një ndihmë financiare, masa e së cilës mbetet e papërcaktuar?
Projektligji është ende në fazën e konsultimit publik dhe nuk përbën ligj të miratuar. Ndryshimi i propozuar heq termin “dëmshpërblim” nga dispozita për detyrimet e bashkive, por nuk përcakton shprehimisht heqjen e çdo mundësie tjetër ligjore për kompensim.






















