
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si një nga liderët më të mëdhenj në botën e sotme, duke shprehur admirim të jashtëzakonshëm për qëndrimet e tij politike, veçanërisht për dënimin e sulmeve terroriste të Hamasit.
Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku Sa’ar i kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij vlerësimit të kryeministrit shqiptar.
“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Edi Rama, një nga liderët më të mëdhenj në botën e sotme. Fjalët e tij të fuqishme kundër terrorizmit të Hamasit patën shumë ndikim te izraelitët”, deklaroi ministri izraelit.
Sa’ar vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke kujtuar mbrojtjen që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Holokaustit. Ai theksoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në kontinent që e përfundoi Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte në fillim të saj.
“Është kënaqësi të ndodhem në Shqipëri, një mike e vërtetë e Izraelit. Miqësia jonë i ka rrënjët në histori. Gjatë Holokaustit, shqiptarët i hapën shtëpitë hebrenjve. Kjo ishte Besa, kodi juaj i nderit”, u shpreh ai.
Ministri izraelit theksoi se, pavarësisht zhvillimeve politike dhe zgjedhjeve të pritshme në vendin e tij, kishte konsideruar të rëndësishme të gjente kohën për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai u ndal edhe te rritja e numrit të turistëve izraelitë, duke deklaruar se nga rreth 7 mijë vizitorë në vit, shifra ka arritur në 100 mijë. Sipas Sa’ar, kjo rritje lidhet edhe me ndjenjën e sigurisë që qytetarët izraelitë kanë gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Vizita u shoqërua me nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm mes dy qeverive, e cila parashikon zgjerimin e marrëdhënieve në ekonomi, tregti, teknologji, energji, bujqësi, shëndetësi, arsim, turizëm dhe siguri.
Nga ana e tij, Ferit Hoxha e cilësoi takimin si pikën më të lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar veçanërisht bashkëpunimin me Izraelin në fushën e sigurisë kibernetike pas sulmeve të vitit 2022 ndaj infrastrukturës dixhitale shqiptare.
Në konferencë u diskutuan edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, lufta kundër terrorizmit dhe përpjekjet për paqe në rajon.
Sa’ar kujtoi se Izraeli vazhdon të përballet me Hamasin, Hezbollahun dhe kërcënimet nga Irani, ndërsa e përmbylli fjalën me një tjetër vlerësim për marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Miku im, miqësia jonë është e gdhendur në histori. Sot po ndërtojmë të ardhmen e saj”, deklaroi ai.






















