Protestuesit kanë bllokuar për herë të dytë njërën prej hyrjeve kryesore të Kryeministrisë, në ditën e 135-të të protestës kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pas fjalimeve të mbajtura në bulevardin përpara Kryeministrisë, qytetarët u zhvendosën drejt hyrjes së godinës, pas njoftimit të aktivistit Edison Lika se brenda ndodhej kryeministri Rama.
Herën e parë kur protestuesit bllokuan hyrjen e Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama qëndroi për rreth dy orë i bllokuar brenda godinës, përpara se situata të merrte një tjetër rrjedhë.
Gjatë tubimit të sotëm, protestuesit hodhën thirrje kundër qeverisë, mes tyre “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”. Ata u shprehën të vendosur për të vijuar qëndresën, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e kreut të qeverisë.






















