Një avion i kompanisë British Airways, që po fluturonte nga Londra drejt Portugalisë, është detyruar të kthehet në aeroportin e nisjes, pasi gjatë fluturimit u konstatua një çarje në xhamin e një prej dritareve të pasagjerëve.
Fluturimi BA2660, i nisur nga aeroporti Gatwick i Londrës drejt Faros në Portugali, aktivizoi sinjalin e emergjencës 7700, i cili përdoret në aviacion për të njoftuar një situatë të përgjithshme emergjente.
Avioni Airbus A321 ishte nisur në orën 09:06 të mëngjesit të së martës, 13 tetor, por rreth një orë pas ngritjes, ndërsa ndodhej mbi Francë, u detyrua të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Londër.
Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, avioni bëri një kthesë 180 gradë pak pasi kishte kaluar rajonin e Bretanjës, në Francë.
Në orën 09:55, platforma e monitorimit të fluturimeve AirNav Radar raportoi në rrjetin X:
“Një dritare pasagjerësh është çarë. Ekuipazhi në kabinën e pilotimit po kryen kontrollet përpara se të vendosë se ku do ta devijojë fluturimin.”
Sipas medias së specializuar për aviacionin AirLive, ekuipazhi kishte identifikuar dëmtime strukturore në një panel dritareje në anën e djathtë të avionit, pranë rreshtit 3R. Pas konstatimit të dëmtimit, pilotët aktivizuan sinjalin e emergjencës.
Në aeroportin Gatwick, ekipet e emergjencës në tokë ishin vendosur në gatishmëri për të pritur avionin.
British Airways konfirmoi se avioni u kthye për shkak të një problemi teknik, të cilin kompania e cilësoi si të vogël.
“Avioni u devijua për shkak të një problemi të vogël teknik dhe u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Gatwick të Londrës”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.
British Airways u kërkoi falje pasagjerëve për vonesën dhe njoftoi se ekipet e saj po punonin për të mundësuar vazhdimin e udhëtimit të tyre.
Nuk u raportuan persona të lënduar.
Një incident i ngjashëm kishte ndodhur muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, kur një avion i Mesa Airlines, që operonte fluturimin 6309 të United Airlines, u detyrua të kthehej në aeroportin George Bush të Hjustonit, pasi xhami i përparmë i kabinës së pilotëve u ça pak pas ngritjes.
Avioni Embraer E175, i nisur drejt El Pasos, u kthye në Hjuston dhe u ul në mënyrë të sigurt.
Në atë rast, kompania Mesa Airlines sqaroi se xhami i përparmë në anën e oficerit të parë ishte thyer, por nuk kishte pasur humbje të presionit në kabinë. Sipas kompanisë, kthimi në aeroportin e nisjes ishte procedura standarde e sigurisë për raste të tilla.






















