
Situata para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar sërish, duke degjeneruar në përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Pas tensioneve, forcat e rendit kanë nisur shoqërimin e disa prej pjesëmarrësve në protestë.
Ndërhyrja e policisë erdhi pasi u përdor autoboti me ujë me presion për të larguar turmën nga perimetri i godinës. Gjatë ndërhyrjes u regjistruan përplasje të forta, ndërsa disa protestues u morën me forcë nga efektivët dhe u shoqëruan drejt komisariateve të kryeqytetit.
Protesta e studentëve, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshime, u përshkallëzua gradualisht gjatë tubimit.
Më herët, protestuesit goditën godinën me vezë dhe gurë, thyen disa xhama dhe shkëputën kangjellat përpara institucionit. Disa prej tyre hynë gjithashtu brenda perimetrit të ministrisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës.
Tensionet vijojnë të shoqërojnë protestën, ndërsa ndërhyrja e forcave të rendit është përqendruar në largimin e protestuesve nga godina dhe shoqërimin e disa prej tyre.






















